Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të qytetarit turk, Sedat Peker, i cili u arrestua në Maqedoninë e Veriut dhe sipas raportimeve, mbrëmë u depërtua për në Kosovë.

MPB, përmes një komunikate për media kanë thënë se Sedat Peker nuk është shtetas i Kosovës dhe nuk posedon pasaportë kosovare. Megjithatë, ministria e rendit njofton se ai posedon leje qëndrimi të përkohshëm në Kosovë, pasi ka një biznes të regjistruar në Prizren.

“Ministria e Punëve të Brendshme ju njofton se pas raportimeve në disa media, rreth arrestimit të qytetarit turk, Sedat Peker nga autoritet e Maqedonisë Veriore dhe depërtimit të tij në Republikën e Kosovës, se shtetasi turk nuk është shtetas i Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme mund të konfirmoj se personi në fjalë nuk posedon pasaportë kosovare, siç është raportuar, por i njëjti posedon vetëm leje qëndrimi të përkohshëm, në emër të një biznesi të regjistruar në Prizren, nga viti 2014 dhe të vlefshëm deri më 29/12/2021”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Peker ka hyrë në Kosovë në mënyrë legale të hënën, ndërsa sot është larguar në drejtim të Shqipërisë.

“Mund të ju informojmë se z. Peker, ka hyrë në Republikën e Kosovës në mënyrë të ligjshme me datë 18/01/2021 dhe ka dalë nga Republika e Kosovës në drejtim të Republikës së Shqipërisë me datë 20/01/2021”, thuhet në komunikatë.

Express transmetoi dje raportimin e mediumit Ahval, që njoftonte se Peker ishte arrestuar në Maqedoninë e Veriut dhe se do të ekstradohej në Turqi përmes Kosovës. Ky medium shkruante se Peker u arrestua me kërkesë të Turqisë nga policia maqedonase.

Media lokale e lajmeve maqedonase, Koronos, e përshkroi Pekerin si një “zot të famshëm të drogës” dhe raportoi se ai ishte akuzuar për përpjekjen e tij për t’i kontaktuar trafikantët e drogës në Maqedoninë e Veriut.

Peker kishte disa armiq të dukshëm të nivelit të lartë brenda Turqisë, duke përfshirë Berat Albayrak, dhëndrin e Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan dhe Alaatin Cakici, një bos mafie afër Devlet Bahceli, partner i koalicionit me Erdoganin. Ai ishte burgosur më parë gjatë gjykimeve të Ergenekon në vitin 2013 dhe u dënua me kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh, por ai u la i lirë si shumë të pandehur të tjerë muaj më vonë, kur akuzat u shembën.

Gangsteri u largua nga vendi nën një re dyshimesh, shkruan Ahval. Ai kishte hedhur poshtë raportimet se kishte ikur për shkak të problemeve ligjore, duke thënë se u zhvendos në Ballkan për të ndjekur aspiratat e tij të biznesit. Dönmez, gazetari turk, megjithatë pretendon se Peker mund të ketë ikur për shkak të mosmarrëveshjes midis tij dhe Albayrak, i cili kërkoi ta arrestonte, duke e shtyrë atë të emigronte.

Peker është gjithashtu rival për një kohë të gjatë i Alaatin Cakici, i cili u lirua nga burgu vitin e kaluar si pjesë e një projekt-ligji për amnisti të nënshkruar nga Erdogan për të zvogëluar popullimin e burgjeve gjatë pandemisë së COVID-19. Bahçeli personalisht loboi shumë për lirimin e Cakici sepse e konsideroi atë si hero kombëtar për punën e tij si një sulmues qeveritar që shënjestroi “terroristët armenë dhe kurdë në vitet 1980”.

Në videot e shpërndara nga Kahraman TV, Peker është filmuar duke fyer Cakici në terma personalë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë dje ka konfirmuar se e ka arrestuar Sedat Pekerin, një personazh kontrovers në Turqi që dyshohet për vepra të shumta penale. Peker tash e disa muaj po qëndronte në Maqedoninë e Veriut, respektivisht në një hotel në Petrovec të Shkupit, raportonte Alsat.

Ai u arrestua me akuzën e shkeljes së rregullave të qëndrimit duke tentuar depërtimin e tij për në Turqi. Por, gjatë procedurave Peker ka thënë se nëse do të depërtohej atje mund të përballej me tortura çnjerëzore duke kërkuar transferimin në një shtet tjetër siç është Kosova, shkruante Alsat. Jozyrtarisht, Alsat tha se ka marrë vesh që Peker kishte pasaportë kosovare dhe se mbrëmë vonë është transferuar në Kosovë bashkë me ekipin e tij.