Jose Mourinho i ka sulmuar kritikët e tij duke pohuar se kur ai nuk fiton, ata janë të gatshëm ta vrasin.

Mourinho e ka udhëhequr Manchester Unitedin drejt finales në FA Cup pas një fitoreje të bujshme kundër Tottenhamit të shtunën në “Wembley”. Megjithatë, “Djajtë e kuq” kanë dështuar ta fitojnë trofeun e Premierligës dhe u eliminuan nga Liga e Kampionëve në duel me Sevillën në fazën çerekfinale, transmeton Gazeta Express.

Sidoqoftë, trajneri portugez – skuadra e të cilit është afër ta përmbyllë kampionatin elitar anglez në pozitën e dytë – insiston se kritikët e tij gjithmonë janë në pritje të qoftë edhe lëshimit më të vogël të tij, në mënyrë që ta sulmojnë atë për punën e trajnerit.

“Kur nuk fitoj, më vrisni”, ka thënë Mourinho para gazetarëve.

“Për shkak se gati gjithmonë e bëj [fitoj], kur nuk fitoj, dëshironi të më vrisni, këtë jeni të gatshëm ta bëni të gjithë ju”, shtoi ai.

United ka 16 pikë më pak se Manchester City momentalisht, skuadër që e fitoi Premierligën pesë ndeshje para përfundimit të kampionati dhe është në rrugë për t’i thyer disa rekorde.