MOS NA E DEGRADONI ADEM JASHARIN!

Kush e ka imagjinuar se 17 vite pas rënies së Familjes Jashari, 16 vite pas çlirimit të Kosovës, 7 vite pas bërjes së Kosovës shtet, në mediat tona do të shohim një pjesëtar të Familjes Jashari, i cili flet thuajse me vaj në buzë, me dëshpërim eksplodues, duke u ndjerë i fyer e i poshtëruar?!
Por, ja që fatkeqësisht ndodhi! Po përse vallë?! Si është e mundur që të vie puna që të flasë me kaq dëshpërim një njeri që bartë në venat e tij gjakun e asaj familje, e cila dha gjithçka për çlirimin e vendit dhe anëtarët e saj ranë dëshmorë me këngë në gojë, shumë krenarë dhe pa kurrëfarë doze frike a dobësie?! A thua vallë ky anëtar i kësaj familje të madhe të jetë i ligë?! Assesi s’mund të jetë e vërtetë. Dëshpërimi i tij nuk tregon dobësi, nuk tregon ligësi, nuk tregon pendim, por tregon qartë dëshpërim dhe zhgënjim të skajshëm.
E si t’mos jetë kështu, kur sot, pas 17 vitesh, ai duhej t’i tregonte Axhës dhe gjithë familjes së tij, që prehen në parajsë, se idealet dhe qëllimet e tyre, për të cilat ata e dhanë gjakun e tyre, jo vetëm që nuk janë realizuar, por janë tradhëtuar, janë manipuluar, janë tjetërsuar dhe po keqpërdorën. Kjo, jo vetëm që është fyerje, degardim, poshtrim, nënçmim, përçmim, mosrespekt e përbuzje për këtë familje të madhe, por para së gjithash është një krim që po bëhet ndaj Adem Jasharit dhe Familjes Jashari.
Nëse një gjë e tillë ka ndodhur deri para pavarësisëi, definitivisht është e patolerueshme që të ndodhë tash e tutje. Por, si duket, akterët e skenës politike në Kosovë nuk ngopen kurrë duke i hyrë në hak kësaj familje. Sikur nuk ju mjafton që, që nga përfundimi i luftës, tashmë e 15 vite, ende nuk e kanë rregulluar Kompleksin Memorial ashtu çfare e meriton kjo familje; ende Kuvendi i Kosovës nuk e ka nxjerrë një ligj, i cili do t’i jepte një status të veçantë kësaj familje dhe i cili do duhej të siguronte tretman të veçantë dhe të gjitha kushtet e nevojshme për pasardhësit e kësaj familjeje, së paku për dy gjenerata; ende në kryeqytetin e këtij fantom-shteti nuk e kemi një shtatore, përmendore apo çfarëdo vepre arti madhështore që i kushtohet Adem Jasharit dhe Familjes Jashari; ende në librat shkollorë të historisë sonë i kushtohet shumë pak hapësirë rëndësisë, kontributit dhe meritave të kësaj familje, sikur ju dhimbësen faqet e librave të historisë; ende Familja Jashari fyhet publikisht nga politikanët tanë, duke e krahasuar atë me familje të tjera, të cilat nuk kanë kurrëfarë vlere kombëtare, morale e humane; ende Familja Jashari fyhet duke u quajtur vetëm familje e sakrificës, sikur ata na qenkan sakrifikuar thjesht duke ja shtrirë qafën serbit, pa luftuar e rezistuar deri në jetën e anëtarit të fundit të familjes; ende Familja Jashari fyhet, sepse duke e shfrytëzuar madhështinë dhe zemërgjërësinë e kësaj familje, shumë politikanë e përdorin këtë madhështi të kësaj familje vetëm për poena politikë.
A nuk është e tepërt kjo?! A nuk ju mjaftuakan të gjitha këto politikanëve tanë?! Si duket jo. Sepse, jo vetëm që e përkrahin, por edhe kanë investuar dhe po investojnë me qindra-mijëra euro për të popullarizuar, madje për ta ngulitur thellë në vetëdijen e në pavetëdijen e shqiptarëve, slloganin tashmë shumë të popullarizuar ”Bac u kry!”, i cili s’është gjë tjetër veçse fyerje, degardim, nënçmim e mosrespekt edhe për Bacin, pra Adem Jasharin, por edhe për gjithë familjen e tij. Ç’idiotësi! Ç’turp! Ç’hipokrizi për të gjithë ata që e mbajnë dhe e proklamojnë këtë sllogan.
Si nuk ju vije turp që edhe për së vdekuri ta gënjejnë dhe t’ja keqinterpretojnë e keqpërdorin qëllimet dhe idealet e tij. E si na qenka kryer?! Nëse na qenka kryer dhe na qenka realizuar ideali, qëllimi dhe amaneti i Bacit, atëherë po i bie që Baci paska luftuar për një shtet gjysmak, i cili assesi nuk e ka të drejtën për t’u bashkuar me pjesën tjetër të trungut të vet; për një shtet, i cili dëshiron me çdo kusht që të krijojë identitet kombëtar artificial, duke u munduar që të zhdukë identitetin e vet shumëshekullor; për një shtet, ku një pjesë të territorit të tij e kontrollojnë dhe e udhëheqin ata që e vranë atë (Bacin) dhe dhjetëra-mijëra shqiptarë të tjerë; për një shtet, i cili nuk ka as gjyqësi, as dogana, as polici e as ushtri që e kontrollon vet dhe në stemat e flamujt e të cilave janë mbishkrimet në një gjuhë të huaj; për një shtet, i cili në simbolet e tij kryesore, në flamur, në stemë e në hymn nuk ka asnjë element kombëtar; për një shtet, kushtetutën dhe ligjet e të cilit ja bëjnë të huajt; për një shtet, në burgjet e të cilit gjindet me qindra çlirimtarë; për një shtet, i cili nuk guxon ta ketë festë zyrtare Festën e Flamurit kuq e zi, nën të cilin flamur ai është betuar, për të cilin flamur ai ka luftuar dhe po me atë flamur është varrosur; për një shtet, në të cilin politikanët nuk guxojnë ta përmendin faktin që ne jemi shqiptarë dhe nuk guxojnë ta zënë në gojë shprehjen shqiptar; për një shtet, në të cilin tradhëtarët e servilët e pushtuesit bëhen heronj e milionerë, ndërsa familjet e dëshmorëve dhe invalidët e veteranët e luftës jetojnë në tenda, vdesin urie, bëhen lypsarë, madje edhe bëjnë vetvrasje nga mjerimi; për një shtet, i cili nuk guxon të shpallë zyrtarisht ditën e dëshmorëve dhe veteranëve të luftës për t’i respektuar dhe nderuar ata; etj., etj..
A thua vallë të ketë luftuar Baci për diçka të tillë?! Larg qoftë! Jo ore pakurrizorë e të paturpë! Nëse ju nuk keni guxim që t’i jetësoni idealet dhe qëllimet e tij, së paku mos i devalvoni ato dhe mos e degradoni Adem Jasharin, duke i mësuar gjeneratat e reja se gjoja idealet dhe qëllimet, për të cilat ka luftuar ai, janë realizuar. Mosni, se me këtë po e vrisni për së dyti Adem Jasharin. Madje edhe më keq, sepse serbët e kanë vrarë, por assesi s‘kanë mund ta përulin, ta degradojnë, ta fyejnë e t’ja cënojnë dinjitetin, e as t’ja tjetërsojnë e çrrënjosin idealet e tij. Ndërsa shqipfolësit kosovarë, disa në mënyrë të vetëdijshme e disa në mënyrë të pavetëdijshme, po e bëjnë pikërisht këtë gjë.
Përkundër që do të mund të shkruaja një libër të tërë për këtë padrejtësi që po i bëhet Adem Jasharit dhe familjes së tij, megjithatë e lë me kaq, meqë konsideroj që fjalët janë të varfëra për ta shprehur këtë mllef. Por, gjithësesi, do të shtoja se vetëm këto ditë e kam kuptuar dhe kam filluar ta ndjejë thellë motivin dhe kuptimin e thënjes së famshme “Ah si nuk kam një grusht të fortë!”. Por, ja që fatkeqësisht nuk e kam! Prandaj, s’më mbetet tjetër veç ta ngushëlloj veten me faktin që një ditë historia do t’i mallkojë këta njerëz që po i hyjnë në hak Adem Jasharit dhe Familjes Jashari. Për këtë jam shumë i sigurt.
Një gjë të fundit, këta njerëz duhet ta dinë mirë se ka dy rrugë për të hyrë në histori! Dhe të jenë të sigurt se këta do të futën në histori, por përmes rrugës së kundërt me Adem Jasharin!
Jusuf Thaçi
5 mars 2015