Dje rreth orës 16:30 në një qendër tregtare në Drenas, saktësisht në një institucion mikro-financiar, ka ndodhur një grabitje e armatosur.

Nga informacionet e përpunuara dyshohet që kjo grabitje të jetë kryer nga një person i maskuar dhe i armatosur, i cili pasi ka kryer grabitjen është larguar nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas marrjes së informacionit të parë, policia e rajonit të Prishtinës mbështetur dhe nga Njësiti i Specializuar Operativ, ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative, ato të kërkimit si dhe të hetimit, me qëllim të lokalizimit dhe kapjes së personit të dyshuar.

“Reagimi i shpejtë i policisë si dhe masat e koordinuara operative, kanë rezultuar me kapjen në të dyshuarit të parë; A. B 24 vjeç, që dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në rast”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Ndërkohë që është zgjeruar horizonti i hetimit policia ka kryer edhe disa operacione të bastisjes në lokacione të ndryshme, me ç’ rast pas identifikimit ka arrestuar edhe të dyshuarin e dytë ; H. Sh , 18 vjeç.

Përgjatë bastisjeve policia ka sekuestruar një revole të tipit TT, 5 fishekë, sasi e substancës së dyshuar narkotike, një shumë e parave ( dyshohet të jenë të grabitura në rastin në fjalë), si dhe gjësende të ndryshme të cilat mund t’i shërbejnë ndriçimit të plotë të këtij rasti apo ndërlidhjes së këtyre personave me rastet e tjera, ndërkohë që të njëjtat mund të shërbejnë edhe si dëshmi në procedurë.

Pas arrestimit ndaj personave të dyshuar janë iniciuar raste, grabitje e armatosur, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës si dhe posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

Personat e dyshuar pas intervistimit nga ana e policisë me rekomandimin e prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh.

Një kontribut të veçantë në realizimin e këtij aksioni, kanë dhënë edhe qytetarët të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me njësitet policore.