“Çka të duash. Veç a din me kërku”, është përgjigjja me siguri maksimale e 32-vjeçarit Shaban Musaj, kur pyetet se çfarë është në gjendje të bëjë me gur. Ndonëse në moshë të re, ai ka një përvojë të gjatë pune me gurë. Është rritur me gurin, e gati dy të tretat e jetës së tij i ka kaluar në këtë zanat, të cilin e kanë punuar edhe babai e gjyshi i tij, sikurse edhe shumica e burrave të zonës së Kijevës e fshatrave përreth. Pjesa më e madhe e këtij territori është gurore, prandaj puna në këtë zonë për shumëkënd është e përcaktuar me lindjen.

Kohët janë të ndryshme edhe në këtë punë, saqë zor se mund të krahasohen njëra me tjetrën. Musaj e mban në mend kur gurët në mal janë nxjerrë me dorë.

Edhe sot e asaj dite, ai e bën me shumë kënaqësi këtë punë. Bashkë me familjen e tij të gjerë kanë krijuar edhe fabrikë të gurit. E quajnë “Bardhi”. Rreth 30 anëtarë të familjes Musaj janë të përfshirë në këtë biznes, e kanë edhe 25 punëtorë të tjerë.

Punë e përjetshme, punë e natyrës

“Ne merremi shumë moti me këtë punë”, thotë Shaban Musaj, krejt në fillim të bisedës së tij për “Kohën Ditore”. “E kemi lëndë vendore, e nxjerrim nëpër pyjet tona. Janë marrë edhe baba e babëgjyshi me këtë punë”, shton më tej ai.

Ndonëse kur nisi lufta më 1999 ende nuk i kishte mbushur 12 vjet, Musaj e merr këtë ngjarje për referencë, për të krahasuar kohët kur flet për punën e gurit.