Fillimisht rastin e denoncoi një qytetare në grupin ‘Netëork Prishtina’, e cila tha se ekipi mjekësor nuk gjindeshin aty dhe u vonuan 40 minuta, shkruan Reporteri.net.

“Një sulm epileptik, apo diçka e ngjashme pësoj një vizitore e pishinës në Gërmi sot. Për veç se jemi shumë kurioz me ditë çka ndodhi, jemi edhe debilla në raste të tilla, pikë njohurie bazike nuk kemi. Ose edhe ma keq krejt bëhemi të dishëm tu kqyr me dur në xhepa. Me kqyr prej një këndi tjetër edhe s’kemi faj, se edhe shërbimet emergjente i kemi KATASTROFË 🔴 Vetura e ndihmës emergjente ish në pishin po stafi mjekësor mungonte. U dash të kalonte 40min të vinin ekipi kujdestar. 🟢 E mahnitshme ishte një doktoresha e re veq 22 vite në moshë e sapo diplomuar, ONIKSA e kish emërin që për një fije floku e shpëtoj pushuesën. Pytje për D.D.Sh në Komunën e Prishtinës Bujar Gashin a i dinë punëtorët, stafi mjekësor përgjegjësit e veta?”, ka shkruar Violetë Kika.

Për fatin e mirë të gruas në fjalë, në pishinë ka rastisur të jetë një infermiere e përgjithshme, Oniksa Aliu, e cila menjëherë i ka ofruar ndihmën e parë.

“Gruaja në fjalë ka pasur një sulm epileptik dhe për fat të keq ndihma e shpejtë nuk ishte në pishinë, pra nuk kishte staf mjekësor. Unë pa ndonjë dijeni se çfarë po ndodh, rastësisht e kam parë se janë mbledhur disa qytetarë dhe më ra në sy ajo. Menjëherë i kam ofruar ndihmën e parë deri sa është kthjellur gruaja në fjalë, e cila ka qenë shurdhmemece. Informatën e kemi marrë nga një familjare e saj, e cila ka qenë e moshës nën 18-vjeçare dhe nuk dinte si të vepronte”, ka thënë Aliu për lajmi.net.

Ajo ka thënë se gruan e ka gjetur të shtrirë në tokë dhe ka intervenuar menjëherë për t’ia shpëtuar jetën.

“Kur jam afruar, gruaja ka qenë e shtrirë në krah, e që është e rrezikshme dhe zakonisht në këto lloj sulmesh ju rrotullohet edhe gjuha. Pasi që nuk kisha ndonjë mjet të fortë me vete, ia kam nxjerrë gjuhën me dorë ku edhe më ka kafshuar pa vetëdije. Pas këtij veprimi, rrugët e frymëmarrjes ishin shumë më të lehta, pulsin e kishte në rregull dhe pas pak filloj të kthjellej, përveç se kishte gjakderdhje për shkak se e kishte kafshuar me forcë të madhe edhe gjuhën e saj”, ka thënë Aliu.

Qytetarja ka bërë të ditur se pasi që personi në fjalë është vetëdijësuar, ka arritur edhe ndihma e shpejtë, të cilët kanë reaguar përmes vijës venoze dhe e kanë dërguar në shtëpi për trajtim me terapi.