Humanisti Adnan Hyseni ka dhënë një lajm shumë të mirë në lidhje me shëndetin e Afrore Shalës, e cila ishte dërguar për shërim në Turqi.

Hyseni njofton se Afrore Shala nga Prizreni pas kontrolleve të detajuara këto ditë në Turqi del me rezultate shumë të mira.

Sipas tij mjekët në Turqi tregojnë se analizat e bëra në Prishtinë (QKUK), ku Afrore Shala është diagnostikua me sëmundje të rëndë të tumorit në kokë, nuk janë reale dhe fatbardhësisht 10-vjeçarja nga Prizreni nuk ka tumor në kokën e saj.

“Si pasojë e kësaj mrekullie të Zotit dhe njoftimit nga mjeket në Turqi, pas shumë analizave të bëra këto ditë Afrore Shala nesër kthehet në Kosovë së bashku me nenën e saj Arbëresha Shala. Unë po e ndajë këtë lajm të jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptaret kudo në botë”, ka shkruar Hyseni, njofton Telegrafi.

“Nga shuma e grumbulluar tek familja Shala për mjekim të vajzës së tyre në Turqi, 10,000 € do jepen si donacion për raste tjera ku fatkeqësisht po kemi shumë persona me sëmundje të rënda. Kjo tregon edhe vlerën njerëzore dhe humane të familjes Shala nga Prizreni pasi që vajza e tyre pos një kontrolle, pas 6 muajve ne Turqi shpresohet se nuk do këtë nevojë më për shërim”.

“Unë i jam falënderues Zotit, mjekimit profesional në Turqi si dhe familjes Shala e cila shumën prej 10 mijë euro ka vendos me dhurua donacion për rastet tjera në nevojë pasi që shpirti i tyre është më i qetë dhe këto mjete të dhuruara për ta shpëtua jetën e Afrores me ju shërbye të tjerëve në nevojë.”

“Gjithashtu jam mirënjohës e falënderues përjetësisht ndaj secilit bamirës që po jemi bashkë ne çdo rast. Këta bamirës do e përjetojnë shumë edhe ketë lajm të jashtëzakonshëm”, ka shkruar më tej Adnan Hyseni.