Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte qenë e fundit sfidë. Pas saj vinin sprova secila më dramatike se tjetra: nga pritja e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin e pavarësisë së Kosovës e deri te propagandat serbe që shteti i ri do të bëhej burim krizash. Dhe si kryefjalë e gjithçkaje: miqësia me Shtetet e Bashkuara. Një histori prapa në kohë që për protagonistë kishte pasur edhe emra të mëdhenj si Faik Konica e Fan Noli.

Këto janë vetëm disa nga mesazhet e librit më të ri të Avni Spahiut “Misioni i parë”, botuar nga Botimet KOHA, i cili u përurua të premten në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Duke pasur si shtyllë përvojën e tij prej diplomati në Washington gjatë harkut kohor 2008-2012, ky libër është një rrëfim me vlera historike për shumë të panjohura në historinë e re të diplomacisë në Kosovë.

Sipas recensentëve të librit, rasti i Avni Spahiut sjell në vete edhe një histori të publicistikës e gazetarisë shqiptare që kaloi në terrenin e diplomacisë.

Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bruksel, Blerim Reka, ka thënë se leximi i këtij libri sjell mëdyshjen e përsëritur nëse një ambasador është vetëm teknokrat apo edhe intelektual.

“Avniu nuk ishte çfarëdo diplomati. Ai ishte ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Washington, i pari i dërguar i jashtëzakonshëm e fuqiplotë i shtetit më të ri evropian në shtetin më të fuqishëm në botë”, ka thënë Reka, i cili ishte edhe recensent i librit. Emërimi i Spahiut si ambasador në Washington, ka vijuar ai, ka qenë rikthimi i tij në Amerikë pas katër dekadash. Në rininë e tij, Spahiu kishte qenë korrespodent i “Rilindjes” në Kombet e Bashkuara.

Sipas Rekës, librin e përshkon një stil i rrjedhshëm prej rrëfyesi publicist e letrar duke shpalosur qëndrimet zyrtare të shtetit të cilin e ka përfaqësuar.

“Jo gjithherë ambasadori pajtohet me instruksionet që i vijnë nga vendi i tij, bile edhe ndonjëherë diametralisht kundërthënëse me informacionet që i ka nga dora e parë në vendin ku shërben si diplomat. Por ai duhet t’i përcjellë ato instruksione edhe nëse s’pajtohet me to”, ka thënë ai.

“Libri rrëfen për mesazhe të rëndësishme për Kosovën nga Shtëpia e Bardhë, State Departament e Capitol Hill, që për herë të parë shpalosen brenda librit. Brenda kopertinave të librit, Spahiu rrëfen çka ndodhi brenda mureve të administratës amerikane në vitet e para të pavarësisë së Kosovës, si lobonte Kosova e miqtë e saj, por edhe si lobonte e kundërlobonte Serbia me miqtë e saj”./KohaDitore