Objekti i jetimores në fshatin Orllan të Podujevës u ndërtua për t’iu shërbyer fëmijëve bonjakë, por ky objekt nuk u funksionalizua kurrë.

Tani pas 14 vitesh, me shumicë votash të pozitës, në Kuvendin Komunal të Podujevës u miratua vendimi për ridestinimin e tij, njofton Llapi.info

Drejtori i Drejtorisë së Pronës, Kadastrit dhe Gjeodozisë në Podujevë, Abaz Llugaliu, ka thënë se punimet janë kryer në vitin 2010.

“Punimet e këtij objekti kanë përfunduar në vitin 2010, vendimi për miratimin ridestinimit të këtij objekti vjen pasi është rritur mosha e fëmijëve bonjakë”, ka thënë ndër tjerash ai.

Këtë vendim e ka përkrahur, Avni Fetahu, shef i grupit parlamentar të LDK-së. Sipas tij, LDK këtë e konsideron si të rëndësishme.

“Vendimi për ridestinimin e këtij objekti i hap rrugë Komisionit për dhënien e pronave në shfrytëzim, në raport me kriteret të qarta në mënyrë që të krijohen të hyra për komunën nga investitorët potencial”, ka thënë ai.

Mirëpo, këtë vendim që ky objekt të lëshohet me qira nuk e kanë përkrahur partitë opozitare. Sipas shefit të grupit të këshilltarëve të VV-së, Fitim Haziri, ky objekt ka përfunduar në vitin 2005.

“Objekti në fjalë të gjithë e dimë se ku gjendet, i cili ishte ndërtuar në 2005. Kostoja e tij kap shifrën diku rreth 800 mijë euro, që ishte financuar nga UFORK, Qeveria e Kosovës dhe komuna e Podujevës. Një godinë rreth 1650 metër katrorë, me 17 dhoma gjumi, kuzhinë, restorant, salla konferencash e pishinë me një fjalë një vend piktoresk”.

“Orllani me rrethin është vend turistik dhe vizitohen nga të gjitha vendet e Kosovës, është një pikë strategjike për zhvillim ekonomik, dhe komuna e Podujevës duhet të mendoj mirë dhe të planifikoj investime të tjera ne këtë vend që do të rigjeneronin të ardhura për komunën e Podujevës të cilat do mund të rialokonin në projekte të ndryshme të cilat do të përmirësonin jetën e qytetarëve të komunës sonë”, ka thënë ai.

Më tej ai ka propozuar që ky objekt të jetë në ndërmarrje publike në pronë të Komunës së Podujevës.

“Ne grupi i këshilltarëve të VV-së propozojmë që ky objekt të ridestinohet në një ndërmarrje publike në pronësi te komunës, ku do të mund të punësohen dhjetëra qytetarë të komunës së Podujevës, ku veprimtaria e kësaj ndërmarrje do të ndikojë në të mirën e përgjithshme të qytetarëve. Ky objekt propozojmë që të shërbej si: Pushimore për fëmijë dhe nxënës bonjakë; Pushimore për sportist; restorant dhe dhomat që ofrojnë shërbime qytetarëve nëpërmes tyre do të krijoj të hyra kjo ndërmarrje dhe t’i shërbej dhe institucioneve lokale dhe qendrore për organizimin e trajnimeve, tryezave punuese”, ka thënë Haziri.

Që të jetë në pronësi të Komunës ka kërkuar edhe shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica./Llapi.info