Në Kuvendin e Komunës së Podujevës, është miratuar Rregullorja për tatim në pronën e paluajtshme për vitin 2019, njofton Llapi.info

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, për këtë Rregullore ka thënë se normat tatimore për vitin 2019 për të gjitha kategoritë, me përjashtim të kategorisë pronë publike, bëhet konform Ligjit nr.06/L-005 për tatim në Pronën e Paluajtshme.

“Tatimi në pronë fillon së aplikuari në vitin 2019, ky tatim do të këtë pesë faza të realizmit, derisa të arrihet vlera 100 për qind e saj. Vitin e parë 2019 do të jetë 20 për qind e vlerës së tokës, vitin e dytë 40 për qind, vitin e tretë 60 për qind, vitin e katërt 80 për qind dhe vitin e pestë 100 për qind. Kemi propozuar një normë minimale tatimi prej 0.15 për qind për pronat rezidenciale dhe ato bujqësore. Për pronat komerciale industriale kemi propozuar një normë prej 0.20 për qind. Por, duhet theksuar se kjo normë është minimale, sepse ligji për pronat rezidenciale dhe komerciale parasheh normë tatimore duke filluar nga 0.15 për qind në 1 për qind të vlerës. Për pronat bujqësore ligji parasheh 0.15 për qind minimumi, ndërsa 0.50 për qind maksimumi. Për pronat pyjore nga 0.15 për qind deri në 0.30 për qind”, ka thënë Isufi.

Këshilltarja nga radhët e VV-së, Doruntinë Hasani, ka përmendur disa vërejtje që sipas saj, janë në kuadër të kësaj rregulloreje.

“Tatimi në pronë paraqet të hyrën kryesore vetanake për buxhetin e Komunës. Andaj, kjo rregullore është e një rëndësie të madhe për funksionimin dhe zhvillimin e një Komune. Duke pasur parasysh se kjo rregullore është në kuadër të ligjit të qeverisjes lokale dhe ligjit për tatim në pronë. VV ka disa vërejtje në këtë rregullore, si caktimi i zonave tatimore, vlerat për sipërfaqe dhe normat tatimore. Zonat tatimore ku territori i Komunës është i ndarë në katër zona, ku janë të përfshira rruga “Zahir Pajaziti”, “Xhemajl Mustafa”, “Xhafer Meta”, që nënkupton vlera e objektit të banimit dhe komerciale është e njëjtë rrjedhimisht edhe tatimi”.

“Vlerat e shitoreve, zyrave e hoteliereve të rritet nga 600 në 1 mijë euro. Tek fushat sportive të zbritet vlera nga 100 në 50 për arsye se është çmim i lart. Vlerat për pronat industriale ne si VV me qëllim të stimulimit të prodhimit vendor kërkojmë të ulet nga 150 në 50 euro”, ka thënë ajo.

Ndërsa, shefi i GK të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka kërkuar nga Komuna që t’i qëndrojë në gatishmëri kësaj rregulloreje.

“Është e mirë që për bujqit që kanë toka me u liru prej tatimi. Komunës i jetë që t’i qëndrojë gati këtij tatimi që të mos vështirësohet puna e qytetarëve. Mirë që është me pesë faza me nga 20 për qind. PDK e mbështet në parim këtë rregullore, mirëpo është mirë çdo vit me i rishiku zonat”, ka thënë Llapashtica.

Ndryshe, pas hedhjes në votim me shumicë votash kjo rregullore u miratua në seancën e Kuvendit Komunal./Llapi.info