Kuvendi i Komunës së Podujevës, në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur sot, ka votuar unanimisht për fillimin e procedurave për binjakëzimin e Podujevës me regjionin e Bursës së Turqisë dhe Linzit të Austrisë, raporton Llapi.info.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku i pranishëm ishte edhe Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Nënkryetarja, Marigona Lahu dhe drejtorët e drejtorive të Komunës.Fillimisht iniciuesi i kësaj seance të jashtëzakonshme, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, duke arsyetuar thirrjen e mbledhjes ka prezantuar nismën e bashkëpunimit me komunën Kestel të Turqisë, duke thënë se komuna e Podujevës me këtë komunë ka shumë të përbashkëta, duke veçuar bujqësinë.

“Ditë më parë me iniciativë të Qendrës Kulturore të Kosovës në Bursa kemi vizituar komunën Kestel në Bursa të Turqisë. Kemi vizituar shumë institucione, objekte të kulturës, biznese dhe plantacione bujqësore, ku kemi vërejtur shumë të përbashkëta dhe mundësi bashkëpunimi me këtë komunë. Por kryesorja janë shqiptarët atje, njerëz të shquar, sidomos në fushën e biznesit të cilët janë garantues të suksesit në këtë bashkëpunim”, tha Bulliqi.

Ai tha se në fokus gjithashtu do të jetë edhe bashkëpunimi në arsim për të siguruar shkëmbime të përvojave, duke dërguar nxënës dhe mësimdhënës nga Podujeva për t’u trajnuar sidomos në fushën IT-së.

Kryetari Bulliqi, gjithashtu ka prezantuar edhe nismën për vendosjen e raporteve të bashkëpunimit edhe me qytetin e Linzit të Austrisë, për të cilin tha se është qytet industrial, ndërsa bashkëpunimi është i inicuar nga miq, shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në këtë qytet.

“Kontaktet e para për bashkëpunim me qytetin e Linzit janë vendosur nga miq, shqiptarë që jetojnë në këtë qytet, pastaj me kryetarin kemi zhvilluar disa komunikime virtuale, kemi ftesë që së shpejti të shkojmë për vizitë dhe t’i kthjellojmë mundësitë e bashkëpunimit”, tha Bulliqi.

Ai tha se krahasuar me Podujevën, ky është qytet i madh dhe fokusi do të jëtë bashkëpunimi për zhvillim ekonomik.

Mbështetje inicimit të procedurave për binjakzim me këto dy komuna, në emër të Grupit të këshilltarëve të LDK-së i ka dhënë këshilltari Adnan Zymeri, shefi i grupit Grupit të këshilltarëve te LVV-së, Florent Hasani, shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Fatmir Rudari dhe asambleisti i OBKD-së, Avni Islami.Në fund të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan me mbështetjen e të gjithë asambleistëve prezent.

Përveç këtyre Komunave, Komuna e Podujevës është binjakëzuar vite më parë edhe me Komunën e Velbertit të Gjermanisë./Llapi.info

May be an image of 2 people and indoor
May be an image of 8 people, people standing and indoor