Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar vendimin për vendosjen e masës së suspendimit në Rregulloren për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës në pikën ku parashihet pushim në ditën e diele, ka miratuar Propozim Rregulloren e punës së Këshillit Drejtues të Teatrit “Avdush Hasani” dhe disa vendime të tjera, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku i pranishëm ishte kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja, Marigona Lahu dhe drejtorët e drejtorive.

Në mbledhjen e sotme me kërkesë të kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi, Kuvendi ka vendosur në rend të ditës, propozimin për vendosjen e masës së suspendimit në Rregulloren për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës, në pikën ku parashihet pushim në ditën e diele, ndërsa sipas këtij vendimi kjo masë do të jetë në fuqi deri me datën 30 shtator të këtij viti.

Ky propozim është miratuar me shumicë votash dhe përfshinë vetëm bizneset me veprimtari për furnizim, ushqimor, higjenik dhe të tjera, ndërsa nuk prekë organizimin që kjo Rregullore bënë për veprimtaritë tjera.

Sipas këtij vendimi, Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, si sponsorizuese e kësaj rregulloreje, obligohet të ndërrmarë veprimet e nevojshme që përgjatë këtij intervali kohorë, kjo rregullore të përpunohet dhe të përshtatet për zbatueshmëri pa dëmtuar sektorin privat.

Kuvendi ka shqyrtuar edhe Kornizën Afatmesme Buxhetore, të cilën e prezantoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani. Pas diskutimeve ky propozim nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për miratim.

Në këtë seancë, Kuvendi miratoi edhe Propozim Rregulloren e punës së Këshillit Drejtues të Teatrit të Qytetit të Podujevës “Avdush Hasani” të cilën e prezantoi drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Elhame Kutllovci.

Kuvendi në seancën e sotme miratoi edhe Propozim vendimin për ngritjen e komisionit përzgjedhës për zhvillimin e procedurave për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet publike edukativo-arsimore në Komunën e Podujevës, të propozuar nga drejtori i Arsimit, Avni Fetahu.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë se Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Bujar Hasani e ka informuar Kuvendin rreth procesit të Hartës Zonale të Komunës.

Në këtë seancë, Kuvendi ka shfuqizuar vendimin nr.prot.01-020/04-0035824/21 i datës 29 prill 2021, i ndërlidhur me Vendimin nr.prot.01-020/04-0026812/18 të datës 28 mars 2018 për ngritjen e Komisionit për ndarjen e shtëpive në pronësi të Komunës në “Lagjen e Dëshmorëve” në fshatin Balloc, pasi që me legjislacionin e ri kompetencat për këtë çështje i janë deleguar kryetarit të komunës./Llapi.info