Pal Lekajt i vjen keq për shumëçka, por jo për faktin që reja e tij, zyrtarisht ende vetëm e fejuara e djalit, është punësuar në Telekomin e Kosovës, në vitin 2018, raporton KTV.

Doruntina Gashi, më 7 prill të 2018-s, u fejua me djalin e madh të ministrit Pal Lekaj, Asdrenin.

E, në tetorin e po atij viti, ajo arriti të bëhet me një kontratë pune, në ndërmarrjen që ndodhet buzë falimentimit, Telekomi, si zyrtare e shitjes.

Ministri Lekaj, thotë se ajo u punësua aty me forcat e saj, ngase po të kishte ndikim, ai do ta përdorte autoritetin e tij për ta punësuar nusen në ministrinë që udhëheq.

Po të donte, thotë se aty do ta punësonte edhe djalin e tij të papunë, që është magjistër.

Argjend Zejnaj është njeriu më i besueshëm i Lekajt dhe, në aferën e punësimeve, është rreshtuar krah shefit.

Më 13 dhjetor të 2018-s, Albulenë Bekteshi-Zejnaj u punësua në Telekom si zyrtare e shitjes.

Por, bashkëshorti i saj ka thënë për Kohavisionin se ajo nuk është më familjare e tij, pasi tashmë i kanë ndarë rrugët e jetës, duke na udhëzuar t’i drejtohemi për verifikim komunës.

KTV-ja ka kërkuar në Gjendjen Civile dhe aty rezulton se çifti Zejnaj kishte lidhur kurorë më 18 shtator 2013 dhe në të dhënat e gjendjes Civile, ende figurojnë si të martuar.

Vetëm gjatë periudhës shkurt 2018 – shkurt 2019, në Telekomin e Kosovës janë punësuar 234 persona, shumë prej të cilëve janë familjarë të deputetëve të AAK-së, PDK-së e NISMA-s në pushtet.