Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu javën që e lamë pas mori vendim për anulimin e procesit të provimit të noterisë, i cili ishte shpallur më datë 19 prill 2019 nga Ministria e Drejtësisë.

Pas anulimit të këtij procesi, Ministria e Drejtësisë ende nuk e ka shpallur konkursin e ri.

Në një përgjigje për Telegrafin nga ministria kanë thënë se janë në përgatitje të Komisionit të ri.

“Jemi në fazën e përgatitore të themelimit të një Komisioni të ri për dhënien e provimit të Noterisë. Sapo të jemi gati, do të procedojmë”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Në anën tjetër, Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për Telegrafin se policia dhe prokuroria duhet të fillojnë hetimet për veprime të mundshme kriminale në procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj.

“GLPS së bashku me organizatat tjera të shoqërisë civile si Organizata COHU!, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Columbus, Demokraci për Zhvillim (D4D), Demokracia Plus (D+), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Iniciativa për Progres (INPO), Instituti EPIK, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL kanë kërkuar në vazhdimësi që ministri i atëhershëm Abelard Tahiri të mos emërojë asnjë noterë nga lista aktuale e kandidatëve për noterë, ministri i ri i Drejtësisë urgjentisht të fillojë rishikimin e procesit të përzgjedhjes së noterëve si dhe Policia dhe prokuroria të fillojë hetimet për veprime të mundshme kriminale në procesin e përzgjedhjes së noterëve të rinj”, ka thënë Hoxha.


Ajo ka shtuar se vendimi i ministres Haxhiu për anulimin e këtij procesi është i drejtë.

“Rrjedhimisht, ky vendim cilësohet të jetë i drejtë dhe konsiderojmë që duhet të shoqërohet me një arsyetim më të thellë që do të trajtonte rastet individuale ku ka pasur konflikt interesi. Kjo ngase, konflikti i interesi në mes të panelit dhe disa kandidatëve ka ekzistuar haptazi dhe edhe pse është raportuar për të, të njëjtit nuk kanë hequr dorë nga paneli. Lidhur me këtë proces ka dëshmi të mjaftueshme për komprometimin e tij të cilat duhet të trajtohen me shembujt individual ku kanë ekzistuar rrethanat e lartcekura”, u shpreh Rreze Hoxha nga GLPS-ja.

Ministrja Haxhiu pas marrjes së vendimit për anulim duke folur për këtë proces pati deklaruar se nuk mund të shtyjë përpara një proces i cili është përcjellë me parregullsi dhe humbje të besimit.

“Unë nuk mund të shtyjë përpara një proces, nga i cili shumë prej kandidatëve janë militantë partie, anëtarë apo miq të anëtarëve të Komisionit për provimin e Noterisë”, ishte shprehur Haxhiu.

Përveç kësaj Ministrja e Drejtësisë mori vendim edhe për shfuqizimin e emërimit të anëtarëve të Komisionit për provimin e noterisë, të cilët sipas ligjit kanë pasur mandat 3 vite.