Këto investime do të realizohen në qytetet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Mitrovicës, Gjilanit, Podujevës, Skenderajt, Drenasit, Gjakovës dhe Vitisë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një komunikate për media ka njoftuar se në kuadër të investimeve kapitale në infrastrukturën fizike sportive në Kosovë, do të ndërtojë 12 fusha ndihmëse për klubet e Superligës në futbollin e Kosovës.

Këto investime do të realizohen në qytetet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Mitrovicës, Gjilanit, Podujevës, Skenderajt, Drenasit, Gjakovës dhe Vitisë.

“Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, u takua me krerët e komunave, klubet e të cilave zhvillojnë garat e tyre në Superligën e Kosovës në futboll. Në këtë projekt MKRS-ja do të investojë 1,2 milionë euro, nga 100 mijë euro për secilën fushë ndihmëse. Ky investim kapital në tërësi do të ketë vlerën e tre milionë eurove ku FFK-ja do të investojë në secilën fushë ndihmëse nga 120 mijë euro ndërsa komunat përkatëse do të investojnë nga 30 mijë euro në këto fusha. Një fushë ndihmëse do të ketë vlerën financiare prej 250 mijë euro.” bëhet e ditur në komunikatë.

Për projektet në fjalë do të nënshkruhet memorandum bashkëpunimi tri palësh MKRS-FFK-Komunat, dhe kjo gjë pritet të ndodh në ditët në vijim ku do të përshkruhen edhe detajet e projektit.