Asnjë përgjigje nuk e kanë kthyer zyrtarët e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe ata të Komunës së Podujevës për një projekt që kishte derivuar nga një marrëveshje ndërmjet tyre. Palestra sportive për të cilin ishin zhvilluar procedurat e prokurimit, ishte shpallur fituesi, ishte lidhur kontrata dhe ishte tentuar të niste ndërtimi në nëntor të vitit 2017, ka mbetur në pikën zero.

Asnjë hap tutje nuk është bërë kur tashmë kanë kaluar dy vjet nga atëherë. Gazeta është duke pritur që nga 21 nëntori përgjigje nga MKRS-ja se çfarë është bërë me mjetet e dedikuara për këtë projekt, nëse i njëjti mund të realizohet në rast të zgjidhjes së kontestit pronësor (vendi ku ishte caktuar për ndërtim), apo është shpallur i dështuar, por zyrtarët e saj kanë vazhduar të heshtin, shkruan sot “Koha Ditore”.

Njësoj kanë vepruar edhe zyrtarët komunalë të Podujevës. Ndërkohë opozitarët në këtë komunë po e cilësojnë të dështuar këtë projekt. Këshilltari nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se ndërtimi i palesrës sportive nuk mund të realizohet në vendin ku ishte caktuar nga Komuna e Podujevës e që është prona e ish-ndërmarjes “Fapol”.

“Palestra e sporteve në Podujevë, projekt i premtuar elektoral i LDK-së, ka dështuar dhe ky projekt nuk mund të realizohet aty ku e ka paraparë qeverisja lokale e Podujevës, sepse ai lokacion nuk është pronë komunale, por është nën menaxhimin e AKP-së.

Ky projekt ishte paraparë të financohej nga Ministria e Sportit dhe Kulturës, por edhe pse mjetet financiare Ministria i ka ndarë dhe i ka parashikuar për këtë projekt si shkas i propozimit të këtij lokacioni nga ana e ekzekutivit të Komunës së Podujevës në një lokacion i cili nuk i takon, ku kishte konflikt legal, projekti ka dështuar”, ka thënë Rafet Llapashtica.