Sot gjatë ditës ministrja në detyrë e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në një takim Ambasadorin në largim të Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell.

Por, njoftimi nga ministria nuk njoftoi për atë që në fakt ishte folur gjatë takimit.

“Ambasadori O’Connell, vlerësoi punën e institucioneve duke potencuar zbatimin e MSA-së, reformave si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në veçanti për procesin integrues, procese këto që duhet bërë edhe më shumë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Për këtë, reagoi publikisht edhe Ambasadori O’Connell nëpërmjet “Facebook”-ut.

“Në fakt, unë nuk ofrova ndonjë mendim për zbatimin e MSA-së në Kosovë. As nuk e diskutuam. Ne nuk diskutuam për të drejtat e njeriut. Ne diskutuam për rregullin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë thashë që Kosova ishte në një pikë të rëndësishme, dhe se duhej të ndërmarrë hapa për të pastruar politikën nga kriminaliteti. Unë nuk ofroi asnjë vlerësim për punën e institucioneve”, ka shkruar O’Connell në “Facebook”.

E pas këtij reagimi, Ministria e Integrimit Evropian ka sqaruar opinionin përmes një komunikate për media.

“Zyra e Komunikimit dhe Informimit e Ministrisë së Integrimit Evropian, shpreh keqardhje për versionin e kumtesës e cila kishte lëshime dhe ishte shabllon i përdorur më herët dhe i pakonfirmuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në komunikatën e ministrisë së Dhurata Hoxhës.