Besian Mustafa, ministër i ri i Bujqësisë, ka pezulluar një orë më parë dy nga njerëzit kryesorë të dikasterit qeveritar që drejton, e që dyshohet se kanë abuzuar me miliona euro të buxhetit të Kosovës. Të pezulluarit janë sekretari i përgjithshëm, Kapllan Halimi dhe kryeshefi i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Ekrem Gjokaj.

“Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe mendimit që ka marrë nga Zyra Ligjore, ministri ka vendosur t’i suspendojë”, ka thënë një burim në Ministrinë e Bujqësisë.

Halimi, Gjokaj, ish-ministri Nenad Rikalo, si dhe pesë zyrtarë të këtij institucioni, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e dënueshme me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet. Prokuroria ishte vënë në lëvizje, pas një hulumtimi të gazetës “Koha Ditore”, e cila kishte gjetur se në Ministri ishin ndërmarrë veprime të jashtëligjshme, nëpërmjet të cilave ishin çuar së paku tre milionë euro të shtetit tek disa biznese të lidhura me politikën.

Për t’i mbajtur funksionet, ata ishin duke e përdorur si armë mbrojtëse një ligj, dispozitat e të cilit janë të paaplikueshme.

Ligji për zyrtarët publikë, i miratuar vitin e shkuar, parasheh në nenin 56 të tij që nëpunësi civil pezullohet, sipas detyrës zyrtare të organit përkatës të punëdhënësit, “kur gjykata vendos ndaj nëpunësit civil si masë parandaluese penale pezullimin e ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik, sipas ligjit në fuqi”.

Neni 85 i të njëjtit saktëson se me hyrjen e tij në fuqi shfuqizohet Ligji për Shërbimin Civil, e i cili në nenin 69 kërkon që nëpunësi civil pezullohet menjëherë nga detyra kur “kundër tij/saj është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij/saj”.

Kjo normë e ligjit të Shërbimit Civil aktualisht është në fuqi, meqë Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar gjithë Ligjin për zyrtarët publikë, përfshirë edhe nenin 85 që i referohet shfuqizimit të Ligjit për shërbyesit civilë. Për pasojë, ndaj zyrtarëve kundër të cilëve ngrihen aktakuzat, vlejnë rregullat e vjetra, të cilat kërkojnë pezullimin nga puna menjëherë pasi kundër tyre të ngrihen aktakuza.