Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sot inspektoi urën mobile ,,Mabey Johnson’’, me gjatësi prej 36 metra, të realizuar para 3 javësh nga ana e inxhinierëve të Regjimentit të Xhenios të Gardës Kombëtare të FSK-së.

Me këtë rast ai u prit nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e lartë për këtë projekt i cili ka lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve të kësaj ane të izoluar pas dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e muajit Janar të këtij viti.

Nga ana e tij, ministri Mehaj shprehu vlerësimin e lartë për punën e shkëlqyeshme të inxhinierëve të FSK-së dhe theksoi gatishmërinë e plotë për realizimin e detyrimit kushtetues dhe ligjor për mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile dhe në shërbim maksimal ndaj qytetarëve tanë në çdo kohë dhe rrethanë.

Pas inspektimit, ministri Mehaj i shoqëruar edhe nga kryetari Lladrovci dhe delegacionet e tyre, nderoi të gjithë heronjtë e kombit duke vendosur buqeta lulesh para shtatoreve të tyre në Sheshin kryesor të qytetit në Drenas.