Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, së bashku me inspektorët e tregut sot ka dalë për inspektim te disa operatorë ekonomikë për të parë nga afër zbatueshmërinë e masave që janë marrë për të luftuar pandeminë.

Ai tha se është i kënaqur me zbatimin e ligjeve dhe rekomandimeve të Ministrisë, por edhe duke treguar se në rast të moszbatimit ka pasë dhe do të ketë gjoba, njofton Klan Kosova.

“Në vazhdën e rritjes së intensifikimeve të inspektimit dolëm nga afër për të parë se sa po respektohen masat e IKSHPK-së. Tanimë ne kemi ndërtuar një trupë inspektuese në kudaër të Ministrisë së Tregtisë. Kjo trupë ka rritur inspektimet në tërë vendin dhe në tërë komunat”.

“Në takimet e mbajtura me shoqata të ndryshme ne kemi pasë edhe disa ankesa dhe në kuadër të kësaj ne pamë nga afër se sa qëndrojnë ato. Ne morëm disa mostra për të parë nga afër në lidhje me sasinë dhe cilësinë. Ne në prioritet kemi mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe mbrojtjen e konsumatorit, prandaj ne përpiqemi t’i mbrojmë produktet tona karshi produkteve të njëjta që importohen nga vendet e tjera duke parë nga afër në lidhje me cilësinë e saj, si dhe pamë se çka po iu ofrojmë konsumatorëve për sofrat e tyre”.

Veseli tha se me hapjen e më pas rikthim të sërishëm të masave inspektorët u përballen me vështirësi, por se në këtë drejtim janë shqiptuar edhe gjoba.

“Jemi të kënaqur me vetëdijësimin e tyre sepse janë tri hapa që do t’i ndërmarrin: vendosja e maskave, mbajtja e distancës dhe dezinfektimi”.