Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, është takuar sot me Ministrin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, me të cilin ka biseduar për realizmin e projekteve për mbrojtjen e mjedisit, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info

Në këtë takim është biseduar për investimet konkrete në projektet mjedisore në Podujevë më ç’rast Kryetari Veliu tha se për mbrojtjen e ambientit Komuna e Podujevës çdo vit ka ndarë mjete nga buxheti i saj për realizimin e shumë projekteve.

“Ndonëse ka munguar përkrahja nga niveli qendror, Komuna nga buxheti i saj vazhdimisht ka investuar në realizimin e projekteve në menaxhimin e ujërave të zeza, rregullimin dhe zgjerimin e lumenjve”, tha kryetari Veliu.

Në njoftim thuhet se Ministri i MMPH,Ferid Agani konfirmoi gatishmërinë e Qeverisë për të investuar në projektet mjedisore në Komunën e Podujevës, duke thënë se MMPH ka ndarë 90 mijë euro për rregullimin e shtratit të lumit Llap.

“Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Fondi Slloven për Zhvillim, por edhe Qeveria hungareze kanë shprehur gatishmërinë të investojnë në trajtimin e ujërave të zeza”, tha ministri Agani, duke konfirmuar se përfituese e këtyre investimeve do të jetë edhe Komuna e Podujevës.

Ndër të tjera në këtë takim Veliu tbëri të ditur se pothuaj në të gjitha vendbanimet e komunës është ndërtuar rrjeti i kanalizimit, përveç fshatrave të trevës së Orllanit, kurse tash ka filluar faza e ndërtimit të kolektorëve për grumbullimin e ujërave të zeza.

Në këtë aspekt, Komuna në bashkëpunim me kompaninë austriake OSTAP ka hartuar projektin për kolektorin kryesor, me të cilin do të konkurrojë për të përfituar një kredi të butë nga Austria./Llapi.info