Ende i ka të freskëta ditët e para të punës së tij.

Me mall e kujton vitin 1970, vit ky në të cilin hyri në klasë si mësimdhënës. Për herë të parë me nxënësit e Shkollës Fillore “Ramiz Sadiku” në Sylevicë e kishin pritur të gjithë në këmbë, shkruan Llapi.info.

Po kjo klasë, tani i ka mbetur në kujtime dhe për mësimdhënësin Gani Mehmeti nga fshati Pakashticë e Podujevës, i cili 42 vite dha kontributin e tij në arsimimin e gjeneratave të reja.

Posa kishte përfunduar Shkollën e Mesme,  Gjimnazin “8 Nëntori” në Podujevë, Gani Mehmeti kishte filluar punën në paralelen e ndarë fizike të kësaj shkolle  në Sylevicë në vitin 1970, klasën e të cilës nuk e ka harruar ende.

“Më kujtohet klasa e katërt në Sylevicë në 1970-1971 aty unë kam punuar vetëm gjysmëvjetorin e parë, sepse kam shkuar në zëvendësim të mësuesit Nezir Hasani, po nga Pakashtica,  deri sa ai të kthehej nga shërbimi ushtarak. Unë kam mbetur i pa punë,  mirëpo u jam përkushtuar studimeve, nga që isha i regjistruar. Ajo klasë me duket ndër klasat më të mira sepse ishte fillimi i punës sime. Dhe vitet e tjera kam punuar në Sllatinë, Zhiti tri vite, Pollatë, Murgull e pas kësaj në vitin 1977 jam kthyer në Krypimeh të jap mësim deri në vitin 1983”, tha ai i mallëngjyer.

Pikërisht para 36 vitesh, kur sot ne po zhvillonim intervistën, Gani Mehmeti kishte përfunduar studimet në Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Për shkollimin e tij parauniversitar ai ka treguar për Llapi.info se ka qenë një gjeneratë me ish presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiun dhe deputetin Sabri Hamiti…

“Shkollimin e mesëm e kam përfunduar me gjeneratën, me dr. Fatmir Sejdiun, Sabri Hamitin ai edhe një vit më herët sepse i mori dy klasë për një vit, e të tjerë që janë, me portierin e njohur llapjan Esat Mehmeti, me shkrimtarin Nazmi Rudari, Dr. e antropologjisë Safet Nishefci e të tjerë. Është një koigjidencë e kësaj interviste me ju se pikërisht me 27 shkurt 1981 kam mbrojtur temën e diplomës në Fakultetin Filozofik dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe para profesorëve Mehdi Bardhi, Besim Bokshi dhe Latif Mulaku” tha Mehmeti për Llapi.info

Ai ka treguar edhe për vështirësitë që kishte për shkollimin e tij për të cilin thotë se nga fshati Zhiti deri në Kyrpimeh, sic ai dëshiron ta quajmë, ecte këmbë për të hipur në autobus që nganjëherë nuk mund të arrinte fare deri në Prishtinë.

“Në Zhiti cdo të mërkurë kisha tri orët e para paradite sepse punoja nga klaët e 5-8, pas orës së tretë, më këmbë shkoja deri në Krypimeh nga Zhitia. Atje merrja autobusin, herë e kisha direkt për Prishtinë e herë duhej ndërruar në Podujevë për të dëgjuar një ose dy ligjërata sa kishim në Prishtinë. Një herë në jave kam shkuar në Prishtinë por këmbë kam ecur nga shkolla e Zhitisë deri në Krypimeh. Rrallëherë qëllonte ndonje kamion apo diçka që të më merrte gjatë rrugës nga Pollata deri në Krypimeh. Dhe atë ditë ligjëratat mbaheshin deri në orën 19:00”, tregon ai.

Ai ka një porosi të qartë për gjeneratën e re e cila sipas tij nuk po mëson, që duhet të mësojnë dhe edukohen sepse që të dyja shkojnë bashkë.

“Gjeneratës së re unë i jap këtë mesazh, pa u ulur dhe pa lexuar literaturën e kërkuar, të nevojshme e të caktuar edhe nga institucionet më të larta deri tek mësimdhënësit, përparimi vështirë të arrihet. Edhe nëse arrihet një sukses në arsimim, do të çalojë në edukim. Arsimimi pa edukim është sikurse mishi nga kocka kur ndahet. Njëri pa tjetrin nuk shkojnë. Po e shohim se kemi shumë të arsimuar por pak të edukuar. Nuk janë të edukuar në frymën atdhedashëse, patriotike. I paedukuari mundohet të marrë njohuritë në mënyra të ndryshme por jo me dije”, tha ai.

Mësimdhënësi tani i pensionuar, Gani Mehmeti, që tani jeton në Francë është botues i tri monografive, Pakashtica, Mavriqi i Llapit I dhe Tërnavica, ndërsa është duke punuar edhe në një tjetër “Mavriqi 2” ku sipas tij do të përfshijë figura të njohura mavriqase. Duke punuar gjithashtu është edhe në monografinë për Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë.

Mes të tjerash, Mehmeti ka përmbledhur Toponime e cila ka afër 300 faqe përderisa nuk e ka lënë anash as Folklorin për të cilën ka përmbledhje folklorike të trevës së Llapit. Ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit  Albanologjik në Prishtinë, ku i ka të dorëzuara njësitë e krijimtarisë popullore të mbledhura nga ai.

Ai gjithashtu ka formuar grupin letrar në shkollat ku ka punuar: “Luigj Gurakuqi” në Zhiti, “Migjeni” Pollatë, “Ndre Mjeda” Krypimeh, në SHM Ekonomike  “Fan Noli”. Në Shkollën Fillore  “Enver Maloku” grupi letrar me emrin e patriotit Jahja Fusha, kemi nxjerrë edhe disa numra të revistës shkollore “Kopshti letrar”./Llapi.info/