Mësimdhënësi duhet të jetë si boksieri!

Nëse që në orën e parë të mësimdhënëses tuaj, po nuk të morën për të marrë dhe të tallen me qasjen tënde prej mësimdhënësi, atëherë dije se je duke e bërë gabim. Je i zakonshëm! S’ke sfiduar rendin dhe traditën e pashkruar të mësimdhënies klasike.

Në lëndën “Hartimi dhe Implementimi i planit” na mësohej se planprogrami nuk është “Shpallje Hyjnore”, me idenë që patjetër të ndërtohet një plan ditor, javor, mujor dhe vjetor, por mësimdhënësi të jetë fleksibil dhe të ketë guxim të ndryshojë e të veprojë jashtë atij plani. Guxim që u mungon shumicës së mësimdhënësve !

Dhe, një element shtesë para ringut të boksit është fakti që nëse sipas Edisonit “gjeniu 99 për qind është djersë dhe mund dhe vetëm 1 për qind frymëzim”, në rastin e mësimdhënësve u duhet vetëm 1 për qind djersë dhe mund e 99 për qind idealizëm.

Krejt mund të bëjmë nga pak. Mësimdhënësit të shtojnë idealizmin (rasti i mësimdhënësve të paraluftës të fundit në Kosovë), institucionet stimulimin (në Japoni pagat më të larta i kanë mësimdhënësit) dhe nxënësit respektin dhe interesimin (në Tajlandë nxënësit përkulen para mësimdhënësve të tyre).

Ideja e arsimit dhe të lënit anash edukatën si një nga obligimet e mësimdhënies, s’ka prodhuar asnjë gjeni, as ndonjë shkencëtar e astronaut. ,Fundja siç thotë edhe gjeniu i kohës, Anjshtajni, “Edukata është ajo që mbetet kur njeriu harron atë që ka mësuar në shkollë”.

Prandaj, duke qenë një nga rolet e mësimdhënësit është edhe roli i edukatorit, është koha e fundit ta ndjejë këtë përgjegjësi. Dhënia e edukatës do t’i ndihmojë edhe në procesin mësimor.

Gati gjitha seminaret në nivel global që kanë të bëjnë me fushën e mësimdhënies, rol me rëndësi i japin edhe raporteve njerëzore e cila në disa fakultete veç është lëndë mësimore. Qëllimi i saj është të kihet parasysh motivet humane të pathëna ose të panjohura për mësimdhënësit për nxënësit e tyre, por që reflektojnë në sjelljen e tyre o në rezultatin akademik.

Fundja, mësimdhënia është art në vete. Për t’u kthyer te analogjia e ringut të boksit me idenë e të qenit mësimdhënës ideal, më lejoni të sqaroj paralelen e tërhequr.

Një boksier merr grushte, rrëzohet në dysheme i përgjakur e thyen nofullat e kockat, e ajo çfarë e bënë të rezistojë gjithë këto është ideja se në fund të ndeshjes do ngre lart medaljen e krenarisë. Kjo është ideja që duhet ta ketë një mësimdhënës që i dëgjon pëshpëritjet nënçmuese të nxënësve, talljet fillestare të tyre, sjelljet jo adekuate, injorancën në shkencë dhe mungesën e vullnetit elementar për mësim nxënie.

Pavarësisht gjithë kësaj, të jetë i gatshëm me gjithë përbuzjen që përjeton, uljen e nivelit të komunikimit qo do të bëjë të insistojë t’i integrojë nxënësit, t’jua shtojë dashurinë ndaj diturisë dhe lëndës që në fund të vitit të ngrenë lartë suksesin e tyre, interesimin e tyre për shkencë e dituri e t’i bëjë të ndjejnë për turp mungesën edukatës.

Gentian Jetishi