Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka shqyrtuar miratoi Kornizën Afatmesme Buxhetore 2021-2023 e Komunës së Podujevës, Raportin Financiar për periudhën janar-mars 2020 dhe çështje të tjera me interes, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishin të pranishëm edhe anëtarët e ekzekutivit të Komunës.

Lidhur me pikën e parë të rendit të ditës, drejtori për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, para kuvendarëve ka prezantuar Kornizën Afatmesme Buxhetore, për të cilën tha se është pjesë përbërëse e Kornizës afatmesme të shpenzimeve (KASH) të Kosovës dhe është ndërtuar në përputhje me procedurat buxhetore 2021/2023 të dhëna nga Ministria e Financave (MF) përmes Qarkores Buxhetore 2021/01.

Në bazë të kornizës buxhetore komunale, buxheti i përgjithshëm i Komunës së Podujevës për vitin 2021 është planifikuar të jetë 23,181,801 euro, prej të cilave 21,765, 240 euro nga granti qeveritar, kurse 1,416,561 është planifikuar të realizohen nga të hyrat vetanake. Në planifikimet buxhetore për vitin 2021, për paga dhe mëditje janë planifikuar 13,001,512 euro, mallra dhe shërbime 2,853,578 euro, për subvencione 700,050 euro dhe për investime kapitale 6,626,661 euro.

Drejtori Latifi tha se Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) 2021-2023, në përputhje me Qarkoren Buxhetore për komuna 2021/01 dhe ligjin mbi Menaxhimin e Financave dhe Përgjegjësive Financiare duhet të përmbajë strategjinë fiskale të Komunës për periudhën e ardhshme tre vjeçare. Korniza Afatmesme Buxhetore shërben si dokument kryesor i planifikimit të politikave të komunës dhe si e tillë paraqet komponentë të rëndësishme të procesit të përgjithshëm buxhetor.

Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë, Kuvendi miratoi Kornizën Afatmesme Buxhetore 2021-2023 e Komunës së Podujevës.

Drejtori për Buxhet dhe Financa Isuf Latifi prezantoi edhe Raportin Financiar për periudhën janar-mars 2020 të Komunës së Podujevës.

“Shpenzimet e buxhetit për periudhën janar-mars, kanë arritur në shumën 3,427, 592 euro. Për paga dhe mëditje janë shpenzuar 2,935, 137 euro, për mallra dhe shërbime 314,534 euro, për shpenzime komunale janë shpenzuar 84,002 euro, subvencione dhe transfere janë shpenzuar 62, 590 euro si dhe për investime kapitale janë shpenzuar 31, 329 euro”, tha drejtori Latifi.

Në mbledhjen e sotme Kuvendi miratoi edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e përbërjes së Komitetit për Politikë dhe Financa. Në bazë të këtij vendimi këshilltari Patriot Rudari (AAK) caktohet në vend të Avni Fetahu (LVV) i cili tërhiqet nga pozita e anëtarit të KPF-së, ndërsa Vendenis Lahu (LVV) caktohet në vend të Fitim Hazirit (LVV), i cili është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa Endritë Murati (PDK) caktohet anëtare e KPF në vend të Floretë Zejnullahut, e cila është zgjedhur deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kuvendi në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe kërkesën e bizneseve të zonës së Orllanit, për ndryshimin e Rregullores për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës, duke kërkuar që bizneseve që operojnë në këtë zonë, kryesisht përgjatë Liqenit të Batllavës t’iu mundësohet puna edhe të dielave.

Kuvendi formoi një grup punues prej pesë anëtarësh i cili do të shqyrtojë këtë çështje në aspektin procedural-ligjor./Llapi.info