Sevdail Rrustemi, 48-vjeçar, nga Pakashtica e Podujevës mbeti i vdekur në aksidentin tragjik që ndodhi dje në Kroaci, shkruan Llapi.info.

Bashkë me të ndjerin, në autobus ishin edhe bashkëshortja dhe dy djemtë e tij, të cilët pësuan lëndime trupore dhe të njëjtit po marrin tretman mjekësor në shtetin kroat. Mes lotësh, vëllai i të ndjerit, Muhamet Rrustemi ka rrëfyer për rastin tragjik, e ku mbeti i vdekur Sevdaili.

“Dje rreth orës 05:45 ka kontaktuar në mëngjes nipi, djali i vëllait, që ka bërë aksident. Vetëm më ka thënë se babai ka vdekur. Në atë moment nuk disha se si të shkojmë. Vëllai ka qenë me bashkëshorten dhe djemtë. Ata kanë lëndime dhe s’janë serioze. Atje janë ende. Atje janë edhe vëllai dhe nipi tjetër që kanë shkuar dhe janë me ata bashkë”, ka thënë ai për tv Llapin.

Më tej, Rrustemi u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve, ndërkohë që u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

 Dhjetë vetë me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.

Pasagjerët me prejardhje nga Kosova që u lënduan në aksidentin me autobus në Kroaci janë në gjendje stabile./Llapi.info