Në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Podujevës, të mbajtur sot, është marrë vendim që të lejohet veprimtaria e bizneseve edhe të dielave, raporton Llapi.info.

Ky vendim është miratuar sot në këtë mbledhje me shumicë votash. Kështu ka bërë të ditur në një postim në Facebook, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Sot Kuvendi Komunal me shumicë votash votoi për pezullimin e vendimit ku i ndalon bizneset që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre gjatë ditës së diel. Ky vendim hyn në fuqi deri më 30 shtator të këtij viti, deri atëherë u dakorduam që në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit Komunal të hartojmë një draft rregullore të re që rregullon një herë e mirë këtë çështje”, thuhet në postimin e tij.

Duhet potencuar se debate të gjatë me akuza të shumta janë zhvilluar në seancat e fundit të Kuvendit Komunal për propozim-rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës.

Kjo rregullore, e cila ua ndalohet veprimtarinë bizneseve gjatë të dielave kishte hyrë në fuqi më 1 mars të vitit 2020, ndërkohë që e njëjta është shfuqizuar sot në Kuvendin e Podujevës./Llapi.info