Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndryshuar për 180 shkallë vetëm për dy javë në pushtet, krahasuar me periudhën kur ishte në opozitë.

Djali i ish-kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtakut, thotë se për partinë e tij ndryshimi i Kurtit është i mirë, pasi që në këtë mënyrë, siç thotë ai, po e dëshmon se PDK-ja deri më tani ka vepruar drejt, ndërsa ai ka qenë gabim.

“Për PDK-në ndryshimi i Kurtit është i mirë. Ai e ka kundërshtuar Pavarësinë e Kosovës dhe flamurin lara-lara. Nëse për këto çështje ka ndryshuar Kurti, atëherë i bie se PDK-ja e ka pasur mirë. Prandaj, ne i gëzohemi këtij ndryshimi të tij”, ka thënë Lushtaku.

Sipas tij, edhe qëndrimi i Kurtit për ta hequr taksën ndaj mallrave serbe është paksa i çuditshëm.

Gjatë intervistës për “Front Online” ka ka folur edhe për heqjen e fotografisë së presidentit Thaçi në Kuvend nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

“Presidenti nuk i përketë asnjë partie politike. Njejtë do të veproja edhe nëse dikush tjetër do të ishte president”.