Tashmë shefi i ri i PDK-së, Memli Krasniqi i pyetur rreth mënyrës se të bërit tutje opozitë, u shpreh se mbetet të shihet se roli i tyre do të jetë aktiv, kritik por jo destruktiv dhe pengues.

”Mbetet të shihet. Por unë ju siguroj që ne opozitarizmin tonë do ta kemi aktiv, por jo destruktiv, kritik por jo pengues”.

Krasniqi madje me t’u zgjedhur kryetar, pati kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti, të cilën e konsideroi të plogësht duke e quajtur “apatike”.

Sipas tij, madje të paktën as 100 ditët e qeverisjes së Albin Kurtit, s’mund të krahasohen me qeverisjet që ka bërë PDK-ja më parë.

”Do ta kemi në funksion të korrektimit të kësaj qeverie krejtësisht apatike, e cila e ka treguar saktë se çfarë qeverie është në këto 100 ditë, e të cilat cilido prej jush mund t’i krahasoni me secilën prej qeverisjeve të kaluara, të pasluftës sepse me qeverisjen e PDK-së s’mund të krahasohen – [Qeveria Kurti] është më e zbehtë dhe më pa rezultate se cilado qeverisje në të kaluarën”.

”Kështu ne do ta luajmë rolin tonë opozitar, në një mënyrë që do të jetë edhe në përputhje me pritjet dhe kërkesat e qytetarëve të Kosovës, jo vetëm të votuesve të PDK-së”.