Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka bërë të ditur se ka rishqyrtuar planifikimet në fushën e prokurimit dhe financave.

“Aktivitetet e planifikuara të cilat kishin në fokus reprezentacionin, shpenzimet për mirëmbajtje të automjeteve, shpenzimet për blerjen e automjeteve dhe shpenzimet e marketingut, janë ri-aranzhuar me qëllim të vënies së fokusit në nevojat operacionale dhe blerjeve ushtarake për FSK-në. Vlera e ri-aranzhuar është 1,5 milion € ndërsa nga procesi i rishikimit gjithashtu do të shqyrtohen dhe zvogëlohen shpenzimet edhe për kontratat ekzistuese deri në nivelin 1 milion €” ka shkruar në Facebook Mehaj.

Ai më tutje ka shkruar se ka vendosur që kjo vlerë të planifikohet për të krijuar një mundësi të sigurt të transportit për të gjithë pjesëtarët e FSK-së.

“Të njëjtat ndryshime do të reflektohen në procesin e rishqyrtimit buxhetor për vitin 2021, ndërsa për periudhën e ardhshme të planifikimit buxhetor në vitin 2022, ku buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes është rritur në vlerën 106 milion €, do të jetë në fokus blerja e pajisjeve ushtarake për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së. Blerjet ushtarake ekskluzivisht do të bëhen përmes programeve për blerje ushtarake “shtet me shtet” dhe programin amerikan FMS për të siguruar maksimizim të shpenzimeve buxhetore përmes një procesi kredibil dhe transparent” ka shkruar mes tjerash ai.