Komuna e Podujevës – Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport (DKRS) – ka organizuar ceremoninë e shpalljes së Sportistit të vitit 2020, me ç’rast me mirënjohje u nderuan sportistë, klube dhe punëtorë sportivë dhe donatorë, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, përgëzoi sportistët llapjanë për frymën garuese dhe rezultatet e treguara gjatë vitit 2020, ndonëse siç tha ai, garat dhe aktivitetet sportive u zhvilluan në kushte të rënda, si pasojë e pandemisë me Covid-19.

Kryetari Bulliqi uroi që në vitin 2021 t’i kthehemi normalitetit e me këtë edhe sportistët dhe klubet llapjane t’i zhvillojnë garat me praninë e shikuesve në palestra e stadiume.

Kryetari Bulliqi premtoi se përmes Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport do të angazhohet në përkrahjen klubeve sportive dhe krijimin e kushteve për arritjen e rezultateve kulminante.

Për rezultatet e treguara gjatë këtij viti, komisioni vlerësues sportist të vitit 2020 shpalli atleten Medina Kutleshi nga Klubi i Atletikës Llapi. Ndërsa vendi i dytë i takoi futbollistit Kastriot Selmani nga KF Llapi, kurse vendi i tretë futbollistes Erona Bajrami nga KF i femrave Llapi.

Klubi më i suksesshëm u shpall Klubi i Atletikës Llapi, ndërsa trajneri më i mirë Lumbardh Shala, nga po i njëjti klub. Shpresë e sportit llapjan u shpall Ejona Shala nga Klubi i Atletikës Llapi.

Punëtorët sportivë më të mirë u shpallën Fatmir Zeqiri –trajner i Klubit të Basketbollit Llapi dhe Muhamet Rexhepi sekretar i KF Llapi.

Me mirënjohje u nderuan edhe Edmond Zeqiri – refer i futbollit, Merita Sadriu – pedagoge sportive, donatori sportiv NNSH “Batatina”. Me mirënjohje për fair play u nderua shkolla e futbollit “Liridoni”.

Me mirënjohje post mortum u nderua Rizah Maçkavci, ish-kryetar i Klubit të Shahut “Hyzri Talla”.

Për prezantimin e garave dhe afirmimin medial të klubeve dhe sportistëve llapjanë me mirënjohje u nderua gazetari i Radio Llapit, Enver Hyseni./Llapi.info