Medie të Beogradit po spekulojnë se brenda një viti presidenti i SHBA-së Donald Trump mund të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Serbi, transmeton Koha.net.

Amerikanët po bëjnë analiza serioze nëse shkuarja e kryetarit të tyre Donald Trump në Serbi do të rriste ndikimin e Trumpit në rajon dhe në Serbi, përcjell portali serb “blic”.

“Nëse dëshmohet se vizita e presidentit amerikan mund të ndihmojë mjaft në rritjen e ndikimit të SHBA-së në Ballkan, e edhe në Serbi, atëherë kjo vizitë gjithsesi se do të realizohet brenda një viti. Çdo gjë po shkon drejt asaj që bashkëpunëtorët do të përpiqen ta bindin Trumpin për këtë”, ka thënë burimi i paidentifikuar i këtij portali, transmeton Koha.net.

Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq ka deklaruar se Trump mund të qëndrojë në Beograd deri në fund të këtij viti ose deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq vjet në shtator, gjatë takimit me Trumpin në New–York, e kishte ftuar që ta vizitonte Beogradin.

Ftesa, sipas medieve serbe, ishte pranuar.