Në Bruksel u mbajt takimi për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Megjithëse përfaqësuesit e të dy vendeve janë ulur përsëri në tryezën e negociatave, të dy qëndrojnë në pozicione diametralisht të kundërta.

“Albin Kurti nuk ka ardhur për të negociuar, por për të më thënë: “Kam ardhur për të kërkuar që ta njohësh Pavarësinë e Kosovës”, e unë i jam përgjgjur “Kurrë”. Në këtë pikë ka përfunduar takimi”, tha Aleksandar Vuçiq.

Kështu shkruan gazeta online italiane “Linkiesta”, transmeton Klankosova.tv.

Se rifillimi i negociatave është diçka pozitive e konfirmoi edhe Mirosllav Lajçak, Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, i cili tha se takimi i ardhshëm duhet të caktohet deri në fund të korrikut, transmeton Klankosova.tv.

Lajçaku përveç kësaj tha se Bashkimi Evropian dhe qytetarët e Kosovës dhe Serbisë kanë pritje të madhe nga ‘përballja’ mes dy liderëve të dy shteteve, nga ku presin të harrohet e kaluara dhe të shikohet nga e ardhmja, në mënyrë për të arritur normalizimin e marrëdhënieve bilaterale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi ishte konstruktiv dhe i fokusuar në “thelbin e problemit”. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në fund të takimit, Kurti ka konfirmuar se “nuk kishte ndonjë incident dhe nuk kishte asnjë lloj situate që ka mundur të çonte në një incident”.

Siç ka thënë gazetari Leart Hoxha, për këtë gazetë online, takimi në Bruksel zgjoi interes të madh dhe shumë pritje, sepse ishte hera e parë që kryeministri i ri kosovar mori pjesë në dialog.

“Asnjë dialog konstruktiv nuk pritej, sepse negociatorët e këtij lloji kanë nevojë për diçka tjetër për t’iu ofruar zgjedhësve të tyre. Ata kishin nevojë për një incident, të gjithë duhej të thoshin fjalën e tyre në vend që të negocionin për problemet reale, në një mënyrë racionale”, tha Isak Vorguçiq, drejtori i radios dhe televizionit KIM.

Shpëtim Gashi, nënkryetar i Këshillit për Qeverisje Gjithëpërfshirëse, tha se as Prishtina e as Beogradi nuk kanë treguar se janë të gatshëm të bëjnë kompromise, pa të cilat nuk do të jetë e mundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

“Asnjë përparim nuk është bërë, siç pritej. Të dy palët qëndruan të palëkundura në qëndrimet e tyre. Fakti që Albin Kurti u paraqit në takim është tashmë një sukses për evropianët”, tha Stefan Surliq, një pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Washington dhe ekspert i Ballkanit, tha se takimi në Bruksel midis Aleksandar Vuçiqit dhe Albin Kurtit është një shenjë pozitive, por që takimi i tyre i parë nuk pritej të rezultonte shumë.

“Dialogu ka rifilluar dhe ky takim u zhvillua brenda procesit të negociatave. Albin Kurti nuk ka marrë pjesë kurrë në negociata deri më tani dhe tani po përpiqet të kuptojë se si t’i përfshijë idetë e tij në këtë kontekst. Për presidentin Vuçiq, ky është tani një proces i gjatë, një proces që Vuçiq e konsideron të një rëndësie themelore për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt BE – një rrugë shumë e ngadaltë”, shpjegoi Serwer, duke shtuar se gjatë takimit midis Vuçiqit dhe Kurtit nuk u shfaq asnjë aspekt që sugjeron që një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës mund të arrihet brenda një kohe të shkurtër.

Takimi tjetër në kontekstin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit pritet të zhvillohet në Bruksel në fund të korrikut.

Siç shkruan më tutje Linkiesta, mbetet të shihet nëse ndërkohë diçka do të ndryshojë në marrëdhëniet midis dy vendeve, por ajo që është e sigurt është që ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk do të qëndrojnë duarkryq dhe të shikojnë e të dëgjojnë pafund grindjet midis dy palëve, transmeton Klankosova.tv.

(Ky artikull në origjinal është publikuar fillimisht në “Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa”, ndërkaq Klankosova.tv e ka përkthyer në gjuhën shqipe nga gazeta online Linkiesta).