Sipas “2035 Report 2.0”, elektrifikimi i transportit mund të kursejë familjet me 1000 dollarë çdo vit gjatë 30 viteve të ardhshme dhe të mbështesë më shumë se 2 milionë vende pune.

Sidoqoftë, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, një progres i tillë varet nga prania e reformave të fuqishme të politikës, në këtë rast në SHBA.

Raporti, i cili heton faktorët që drejtojnë elektrizimin e makinave dhe kamionëve, zbuloi gjithashtu se elektrifikimi mund të parandalojë 150,000 vdekje të parakohshme dhe të shmangë 1.3 milion dollarë shpenzime mjedisore dhe shëndetësore deri në vitin 2050.

Dr. Nikit Abhyankar, shkencëtar senior në Universitetin e Kalifornisë, Qendra Berkeley për Politikë Publike Mjedisore, komentoi: “Rasti për automjetet elektrike është më i fortë se kurrë më parë dhe një nga gjetjet më emocionuese të këtij studimi është potenciali për kursime të mëdha për të gjithë familjet”.

“Me politikat dhe infrastrukturën e duhur, makinat elektrike dhe kamionët do të jenë shumë më lirë për t’u zotëruar dhe për të operuar”, vlerëson ai.

Siç thuhet më tej, “2035 Report 2.0” modelon koston totale të pronësisë edhe për automjetet elektrike, duke zbuluar se kamionët elektrikë janë tashmë më të lirë për t’u zotëruar se versionet me naftë mbi një bazë totale për milje dhe makinat elektrike do të jenë më të lira se ekuivalentët e benzinës brenda pesë vitesh.

Supozohet se deri në vitin 2030, SHBA mund të “elektrizojë” të gjitha shitjet e makinave të reja dhe më shumë se 80% të shitjeve të kamionëve të rinj, duke i furnizuar ato me 90% energji elektrike të pastër.

Ky nivel thuhet se është shumë më i shpejtë sesa parashikohej më parë dhe tejkalon parashikimet e tregut.

Në këtë drejtim, bëhet e ditur se disa prodhues makinash, përfshirë General Motors dhe Nissan, janë zotuar tashmë për një të ardhme tërësisht elektrike, dhe investimi privat global tani tejkalon 460 miliardë dollarë në industrinë e automjeteve elektrike.

Përshpejtimi i miratimit të automjeteve elektrike është gjithashtu një përbërës thelbësor i planit të infrastrukturës prej 2 trilion dollarësh të lëshuar së fundmi nga administrata e Joe Biden.