Për të satën herë na bie të themi se legjendat nuk vdesin kurrë. Ata kujtohen gjithmonë. Kështu është edhe me legjendën e futbollit dhe tash ish-presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri.

Ndonëse iku në amshim, nesër (23 korrik) po të ishte gjallë do të festonte 58 vjetorin e lindjes, por FFK-ja, bashkë me shokët e brezit të artë të Prishtinës dhe skuadrës së parë ku ka luajtur për herë të parë, KF Llapi, me aktivitet do të shënojnë ditëlindjen e legjendës.

Edhe grupi i tifozëve Dardanët në mënyrën e vet, sikur që dinë më së miri, do të shënojnë këtë datëlindje – thuhet në njoftimin e FFK-së.

Shokët e ish-presidentit, shokët e brezit, Agim Cana, Eroll Salihu, Isa Sadriu, Muharrem Sahiti, Sahit Kelmendi, Skënder Shëngyli, Shefshet Sinani, Ramiz Krasniqi, Ahmet Beselica, Jusuf Tortoshi, Arbnor Morina, Rafet Prekazi, bashkë me ish-trajnerin Ajet Shoshollin e Ramadan Cimili, por edhe shokë e miq tjerë të Fadil Vokrrit nesër (e hënë) në orën 16.30 do të jenë për një ndeshje në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku do të zhvillohet një duel me veteranët e klubit llapjan.

Veç mysafirëve të shumtë të pranishëm do të jetë presidenti i FFK-së, Agim Ademi, si edhe kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Pas ndeshjes në kryeqytet do të shënohet datëlindja sipas skenografisë së Dardanëve.