Conor McGregor i ka thënë Dustin Poirierit se ‘do ta bëjmë përsëri’, pasi dyshja u takua pas meçit të fituar nga amerikani në UFC 257 të dielën në mëngjes.

Luftëtari irlandez u rikthye në oktogon pas një kohe të gjatë, por rikthimi i tij nuk ishte më i mirë edhe përkundër pritjeve të mëdha.

McGregor u mposht me nokaut nga Poirier në raundin e dytë në meçin e zhvilluar në Fight Island në Abu Dhabi.


Pas ndeshjes, Poirier tha se ndihet i lumtur me fitoren, ndërsa McGregor fajësoi pasivitetin e tij të gjatë.

Megjithatë, një gjë e mirë ka ndodhur prapaskenave kur të dy luftëtarët janë takuar.

Në atë takim shumë miqësor, McGregor e ka uruar Poirierin, ndërsa nuk ka hezituar t’ia kërkoj edhe revanshin.

“Punë e mrekullueshme. Brilante”, ishin fillimisht fjalët e McGregor drejtuar amerikanit.

Më pas në bisedë e sipër, irlandezi i tha Poirierit se “do ta bëjmë përsëri”, duke iu referuar një meçi të tretë mes këtyre dyve.

Ndryshe, meçi i parë i zhvilluar më 2014 është fituar nga McGregor, ndërsa ky i sotmi nga Poirier, duke çuar në barazim 1-1 ndeshjet mes vete.