Mbyllen rreth 200 biznese në Korçë

Rreth 200 biznese në tregun e njohur të minoritetit maqedonas në Korçë, mbyllën sot qepenat, si pasojë e aksionit kundër informalitetit. Ata rrezikohen nga konfiskimi, pasi nuk disponojnë faturat e origjinës së mallit.

Mallrat e disa subjekteve që prej kohësh i shmangeshin detyrimeve tatimore, janë sekuestruar në qytetin e Vlorës. Ndërsa prej një muaji në këtë qytet janë regjistruar një mijë subjekte. Ditën e djeshme, 80 tatimorë zbritën në terren për ndëshkimin e bizneseve që shkelin ligjin.

Edhe në qytetin e Lushnjës, kontrollet e tatimorëve kanë qenë të befasishme dhe nuk kanë munguar as gjobat. Shumë prej tyre nuk kanë pasur fatura për mallrat, të tjerë nuk ishin të regjistruar në QKR dhe të tjerë nuk ishin të pajisur me kasa fiskale.

Shumë prej bizneseve kanë mbyllur qepenat, duke iu shmangur kontrolleve./Shekulli