Mbijetesa në Polin e Veriut hap “Berlinalen”

Aktorja fituese e çmimit “Oscar”, Juliette Binoche, portretizon një eksploruese në “Nobody Wants the Night”, që u prit ftohtë në mbrëmjen e hapjes së edicionit të 65-të të Festivalit të Filmit në Berlin.
Filmi që e zhvendos ngjarjen në hapësira të Grenlandës së vitit 1908, është realizuar nga regjisorja spanjolle Isabel Coixet dhe bazohet në rrëfimin e vërtetë të Josephine Pearys, gruas kokëfortë të Robert Pearyt, një amerikan aventurier që ka për qëllim të udhëheqë ekspeditën e parë në Polin e Veriut. Aktorja franceze portretizon Josephinen, një grua të edukuar e arrogante, e cila niset në një udhëtim katastrofik për të qenë aty në momentin e triumfit të Robertit. Në udhëtim atë e shoqëron një ciceron që portretizohet nga aktori irlandez, Gabriel Byrne.
Ajo ia del të shkojë deri në kampin e tij ku takohet me një grua të re të quajtur Alaka, për të cilën mëson se është e dashura shtatzënë e bashkëshortit të saj. Alakan e portretizon japonezja Rinko Kikuchi, që ishte nominuar për “Oscar” me rolin në dramën e vitit 2006, “Babel”.
Të dyja gratë, të mbuluara me lëkura kafshësh për të luftuar kundër të ftohtit, fillojnë të bëjnë rojë natën derisa presin që Robert të kthehet. Teksa dimri polar është goxha afër, Josephine përpiqet ta luftojë xhelozinë që ndien ndaj Alakas, e cila nuk e ka të njëjtin sens të “pronësisë” mbi Robertin.
Por derisa shtatzënia e Alakas zhvillohet dhe ushqimi i tyre nis të pakësohet, Josephine, një gjuetare e kompletuar, merr përgjegjësi për mbijetesën e tyre.
Binoche, 50-vjeçare, ka thënë se kasta ka kaluar shumicën e kohës duke bërë xhirime në Ishujt Canary.
“Kemi pasur vetëm dhjetë xhirime ditë në Norvegji. Pjesa tjetër ishte e gjitha në studio në Tenerife, madje në qershor me gjithë atë nxehtësi”, ka thënë ajo, tek ka shtuar se kishte porositur një frigorifer mishi për t’i ndihmuar që të hyjë në rol.
Duke folur në konferencën për media pas shfaqjes së filmit, regjisorja 54-vjeçare Coixet, ka thënë se ishte inspiruar nga rrëfimet e aventurave për Jack London, por ka pasur dëshirë të gjejë një këndvështrim më të freskët.
“Askush nuk ma ka treguar historinë për Polin e Veriut nga pikëvështrimi i një gruaje”, ka thënë ajo.
E Binoche ka thënë se kishte parë filmin si një lloj uesterni femrash.
“Keni një person të edukuar, të racës së bardhë…ajo shkon në botën e egër dhe gjen një mënyrë të re të ndjesisë, një mënyrë të re të sjelljes dhe këtë ky lloj vendi i askujt nis të bëhet vendi ku ajo në njëfarë mënyre bëhet e njerëzishme”, ka thënë ajo.
Ky është filmi i shtatë që Coixet e ka prezantuar në “Berlinale”, duke përfshirë edhe filmat e saj artistikë “My Life without Me” më 2003 dhe “Elegy” më 2008 që ka protagonistë Penelope Cruz dhe Ben Kingsley, transmeton Koha.net.
Coixet është një nga tri regjisoret në garën e “Berlinales”, që është një nga festivalet kryesore të filmit në Evropë. “Nobody wants the Night” është një nga 19 filmat që garojnë për “Golden Bear” (Ariun e artë) që është një nga top çmimet e festivalit, që do të ndahen në një ceremoni më 14 shkurt nga juria e udhëhequr nga regjisori i “Black Swan”, Darren Aronofsky.
Kosova sivjet për herë të parë do të përmendet si bashkëprodhuese e njërit prej filmave që është në konkurrencë zyrtare për çmimin “Golden Bear” (Ariu i artë). “Burrneshat”, i regjisores Laura Bispuri, do të shfaqet premierë në edicionin e sivjetmë të festivalit.
Filmi, bazuar në librin e shkrimtares shqiptare Elvira Dones, është bashkëprodhim i Italisë, Zvicrës, Gjermanisë, Shqipërisë dhe Kosovës, do të shfaqet në ekranin e këtij festivali më 12 shkurt. Drejt Berlinit, për premierën e “Burrneshat” do të udhëtojnë edhe aktorët nga Kosova, Ilire Vinca-Çelaj dhe Luan Jaha.
Një ekip nga Qendra Kinematografike e Kosovës tashmë ka zënë vend në tregun e “Berlinales”. Në fotografi të publikuara në “Facebook” shihet hapësira e përbashkët e Kosovës me Shqipërinë, ku janë ekspozuar katalogët me përshkrime për filma artistikë, të shkurtër, dokumentarë e të animuar.
Mes tyre janë “Fusha e mullenjave” me skenar e regji të Arzana Krajës, “Histori majë kulmi”, nën regji të Gazmend Nelës, që po ashtu ka bërë skenarin bashkë me Arian Krasniqin, “Home Sweet Home” nën regji të Faton Bajraktarit dhe skenar të Zymber Kelmendit, “Martesa” nën regji të Blerta Zeqirit, që po ashtu ka shkruar skenarin në bashkëpunim me Kreshnik Berishën, “Pranverë e paharruar në fshatin e paharruar”, nën regji e skenar të Kushtrim Bekteshit, “Rooftop Sonata”, nën regji e skenar të Edon Rizvanollit, “Babai”, nën regji e skenar të Visar Morinës etj./ Koha.net