Mbi gjysmë milion euro kanë shkaktuar dëme vërshimet në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Nga këto vërshime kanë pësuar 29 ekonomi familjare, ndërkaq 31 bujq janë dëmtuar.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, për Llapi.info ka thënë se vlera e evidentuar arrin në 545 mijë euro.

“Komisioni i formuar nga kryetari Bulliqi, për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, në këtë rast vërshimet, ka vërë evidentimin e dëmeve. Gjithsej janë 31 bujq të dëmtuar dhe 29 ekonomi familjare. Sipas raportit, janë gjithsej 545 mijë euro dëme të shkaktuara”, ka thënë Zhitia.

Më tej, Zhitia ka potencuar se i gjithë raporti më këto dëme është dorëzuar pranë zyrës së kryeministrit të Kosovës dhe ministrive përkatëse.

“Ky është raporti që ka dorëzuar komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në zyrën e kryetarit, në menjëherë e kemi dorëzuar pranë zyrës së kryeministrit dhe në ministritë përkatëse këtë raport. Presim që Qeveria e Kosovës të bëjë kompensimin e dëmeve edhe pse sipas informacioneve që kemi, Qeveria ka ndarë vetëm 1 milion euro nga buxheti për komunat e Kosovës që kanë pësuar nga vërshimet”, është shprehur Zhitia.

Më të prekura nga vërshimet ishin Dumoshi, Shtedimi, Sfeçla, Siboci, Lluga, Tërnava, Bellopoja, disa shtëpi në qytet dhe zona të tjera në disa fshatra.

Ndërkaq, si pasojë e rrufesë është dëmtuar edhe një objekt sportiv në fshatin Peran të kësaj komune./Llapi.info