Edhe pse vazhdon hetimi për vdekjen tragjike të një marinari shqiptar, në një port në qytetin lindor anglez të King’s Lynn, ministrja britanike e Transportit Detar ka deklaruar se familja e 32 vjeçarit Alfred Ismaili duhet kompensuar pa vonesa.

Ismaili, nga qyteti i Durrësit, i cili punonte për anijen “SMN Explorer” të regjistruar në Liberi, ndodhej në portin anglez kur gjeti vdekjen në datën një shkurt.

Alfred Ismaili, 32 vjeçar, nisi kontratën me kompaninë “Explorer” nga Rotterdami në nëntor të vitit të kaluar, e cila i mbaronte këtë muaj, duke u paguar me rreth 1.500 dollarë në muaj.

Ai ka lënë gruan dhe 3 fëmijë jetim. Operatori i anijes është me qendër në Athinë dhe kompania thotë se nuk mund të bëjë pagesën e kompensimit pa mbaruar më parë hetimet mbi shkaqet e vdekjes.

Por, ministrja britanike e Transportit Detar, Nus Ghani thotë se familja e marinarit shqiptar të vdekur në portin anglez, në muajin shkurt, duhet kompensuar “pa vonesa”, siç parashikon konventa ndërkombëtare, e cila thotë se pronari i anijes duhet të ketë “ sigurinë financiare” për të mbuluar kompensimin për sëmundjet profesionale, lëndimin apo vdekjen e punonjësve të saj.

Sipas kontratës, njeriu më i afërt i Alfred Ismailit duhet të merrte mbi 102 mijë dollarë dhe çdo fëmijë nga 20.462 dollarë, duke e çuar shifrën e kompensimit në mbi 160 mijë dollarë për familjen e të ndjerit.