Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ka deklaruar sot se Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk do të diskutojë për mbylljen e kufijve veriorë, që e lidhin vendin me Kosovën dhe Serbinë.

Spasovski sot bëri të ditur se mbetet në fuqi vendimi i fundit i ekzekutivit që kufijtë të jenë të hapur, pa kushte për hyrje dhe dalje.

Ai po ashtu tha se Qeveria nuk do të marrë vendim politik për mbylljen e kufijve.

“Kjo nuk është çështje politike. Për këtë Qeveria nuk mund të marrë vendim politik. Duam të sjellim vendime që i sollëm deri tani, bazuar në vlerësime shkencore, në vlerësime të epidemiologëve. Nëse ata vlerësojnë se duhet të ketë ndonjë masë të veçantë, atëherë do të diskutojmë në Qeveri”, u shpreh Oliver Spasovski, kryeministër teknik.