Maqedoni, zgjedhjet e prillit, takohen Qeveria dhe KSHZ-ja

Në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve të 24 prillit 2016 në Maqedoni, sot u zhvillua një takim mes qeverisë për zbatimin e zgjedhjeve dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ)

Siç informon kabineti qeveritar të dyja palët kanë theksuar përkushtimin dhe angazhimin e tyre të plotë për organizimin e zgjedhjeve të drejta, të besueshme dhe demokratike.

“Qeveria për zbatimin e zgjedhjeve dhe Komisioni Shtetëror Zgjedhor, në përputhje me rregullat ligjore kanë rënë dakord për një bashkëpunim të koordinuar në mënyrë që të zbatojnë zgjedhje të drejta, të besueshme dhe demokratike,si dhe komunikim intensiv me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve për zbatimin e procesit zgjedhor në përputhje me rregullat ligjore dhe duke vepruar në interes të qytetarëve të Maqedonisë” thuhet në deklaratën e qeverisë.

Qeveria thuhet më tej, ka shprehur gatishmërinë e saj për t’iu përgjigjur kërkesave të KSHZ-së për sa i përket plotësimit të personelit, por edhe kërkesave financiare, teknike si dhe të gjitha nevojat tjera që ka KSHZ-ja.

KSHZ-ja nga ana e saj ka paraqitur aktivitetet e saj në drejtim të zbatimit të zgjedhjeve për të siguruar besueshmërinë në procesin zgjedhor, planë veprimi, pikëpamjet dhe konsideratat në lidhje me procesin zgjedhor dhe angazhimin e Komisionit drejt organizimit të zgjedhjeve.

Qeveria dhe KSHZ-ja kanë thënë se do të vazhdojë komunikimi dhe bashkëpunimi intensive mes tyre.