Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër katër të dyshuarve, dy malazezëve, Mario Milosheviq i ashtuquajtur Mirosllav Kostiq, Gjorgje Paviqeviq, shtetasit serb Strahinja Dankoviq, si dhe kosovares Laureta Zyba.

Në aktakuzën 15 faqesh të ngritur nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti, katër të dyshuarit akuzohen për disa vepra penale.

Lajmin për ngritjen e aktakuzës e ka bërë të ditur vet prokurori, Armend Hamiti ekskluzivisht për Arbresh.info.

“Pikat e akuzës për të cilat akuzohen këta katër persona janë: “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të armëve”, “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, “Lëndim i rëndë trupor” , “Blerje, posedim i lëndëve narkotike”, “Falsifikim i dokumenteve” si dhe “ Moslajmërim i veprave penale, apo kryerve të tyre””, ka bërë të ditur prokurori Hamiti.

Sipas prokurorit, ndaj katër të akuzuarve që janë arrestuar në korrik të vitit 2018 në Prishtinë rëndojnë shtatë pika të akuzës.

Aktakuza pritet që më së largu nesër t’i dorëzohet Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa brenda këtyre ditëve do tu dorëzohet të gjitha palëve.

Milosheviq akuzohet edhe për rrahjen e të burgosurit në Burgun e Sigurisë së Lartë

Në këtë aktakuzë prokurori ka përfshirë edhe rrahjen e një të burgosuri që Mari Milosheviq e kishte kryer brenda qelisë në burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc.

“Pikat e akuzës për të cilat akuzohen këta katër persona janë: “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të armëve”, “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, “Lëndim i rëndë trupor” , “Blerje, posedim i lëndëve narkotike”, “Falsifikim i dokumenteve” si dhe “ Moslajmërim i veprave penale, apo kryerve të tyre””, ka bërë të ditur prokurori Hamiti.

Shtetasi malazez Mario Millosheviq, në nëntor të vitit 2018 kishte sulmuar një të paraburgosur, i cili po ashtu gjendej në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc.

Millosheviq i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të paraburgosurit tjetër, Mica Uroseviq. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në sallën e rekreacionit, derisa të paraburgosurit ishin duke lozur shah.

Milosheviq ishte intervistuar edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

I akuzuari kryesor në këtë çështje është malazezi Mario Milosheviq, në fund të vitit të kaluar ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në kuadër të grumbullimit të provave lidhur me rastin e vrasjes së kreut të Iniciativës Qytetare Serbe (SDP), Oliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018.

Milosheviq nga Prokuroria ishte intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, mirëpo intervistimi i tij nuk kishte ndihmuar Prokurorinë në identifikimin e vrasësit ose zbardhjes së këtij rasti.

Tentim arratisja e Mario Milosheviq nga Burgu i Sigurisë së Lartë

Millosheviq është përfshirë edhe në një tentim arratisje nga burgu në bashkëpunim me disa zyrtarë të Qendrës Korrektuese dhe Ministrisë së Diasporës.

Në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës pati arrestuar zyrtarin korrektues Stefan Veliçkoviq dhe zyrtarin e Ministrisë së Diasporës Petrit Mustafa pasi ndaj të tyre ekzistonte dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga Neni 428 par.1 të KPK-së dhe veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga Neni 429 par.1 të KPK-së.

Sipas organeve të Hetuesisë i dyshuari Stefan Veliçkoviq gjatë periudhës kohore korrik – gusht 2018 nga zyrtari i Ministrisë së Diasporës Petrit Mustafa kishte marrë 3.000 euro ryshfet dhe dy telefona celularë gjatë kohës sa oficeri korrektues Veliçkoviq ishte në detyrë zyrtare si gardian i Burgut të Sigurisë së Lartë.

Krejt kjo me qëllim që t’i mundësohet posedimi i telefonit të paraburgosurit Mario Millosheviq, i cili kishte për qëllim arratisjen nga Burgu i Sigurisë së Lartë.

Ndryshe, dy shtetasit malazezë Mario Millosheviq i ashtuquajtur si Mirosllav Kostiq dhe Gjorgje Paviqeviq, shtetasi serb Strahinja Dankoviq, si dhe kosovarja Laureta Zyba ishin arrestuar më 18 korrik 2018 nga Policia e Kosovës.

Arrestimi i tyre ishte bërë gjatë një operacioni policor të zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera.

Millosheviq ka urdhërarrestim ndërkombëtar në INTERPOL nga shteti i Malit të Zi nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të shkallës së parë “Vrasje”.

Ndërsa malazezi tjetër i dyshuar, Gjorgje Paviqeviq, kërkohet nga INTERPOL për shkak të arratisjes nga Spitali Special Psikiatrik në Kotorr, ku ai po vuan një dënim me burg për veprën penale të “Rrëmbimit” në bashkëveprim me veprën penale të “Tentimzhvatjes”.