Majlinda kërkon kompletimin e “hat-trickut” në garën e Parisit

Majlinda Kelmendi nuk do të jetë bartësja e parë e turneut prestigjioz të xhudos në Paris, mirëpo synim ka të dalë e para, siç ka dalë në dy herët e fundit në këtë garë, ndonëse trajneri i saj, Driton Kuka, thotë se do të ishte i kënaqur me një medalje, çfarëdo qoftë ajo, shkruan Koha Ditore.

Kelmendi garon në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa rrethin e parë të Grand Slamit të Parisit, do ta kalojë pa luftë. Në sfidën e dytë pret fituesen e duelit mes armenes Zhanna Stankevich dhe kanadezes Ecaterina Guica.

Pos Kelmendit, Kosovën në turneun e madh të xhudos do ta përfaqësojnë edhe Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë dhe Akil Gjakova në kategorinë deri 66 kilogramë. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).