Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Podujevë, ka reaguar pasi sot në Kuvendin Komunal, nuk është votuar projektbuxheti për vitet 2021-2022.

Në reagimin e tyre, akuzojnë partitë opozitare në kuvendin komunal se me veprimin e sotëm kanë treguar se janë kundër qytetarëve të Komunës së Podujevës.

Sipas reagimit, mosvotimi rrezikon shumë projekte kapitale në Podujevë.

Reagimi i plotë nga Lëvizja Vetëvendosje:

Reagim lidhur me mosvotimin e projekt buxhetit për vitin 2022 në Kuvendin Komunal

Sot në mbledhjen e 54-t të Kuvendit Komunal, pikë e rendit të dites ishte propozim vendimi për miratimin e projekt buxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2022 dhe parashikimet buxhetore për vitet 2023-2024. Shuma e gjithmbarshme e buxhetit për vitin 2022 ishte planifikuar 23.449,521 euro. Planifikimet në kategorinë për paga ishin 12.470,000, mallra dhe shërbime 2.650,000, shpenzimet komunale 420.000, subvencione dhe transfere 960.000 si dhe investime kapitale 6.949,521.

Përkundër planifikimeve për rritje të buxhetit të investimeve kapitale në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, kulturë, zhvillim ekonomik etj, kjo nuk mjaftoi që të gjejë mbështetjen e nevojshme nga partitë opozitare për të votuar buxhetin. Ato sot u bënë bashkë në kundërshtim me interesin e komunës dhe qytetarëve të Podujevës.

Përkundër thirrjes nga ana e ekzekutivit komunal, ku janë ftuar anëtarët e Kuvendit Komunal që të shmangin motivet partiake, por të bashkohen njëzëri për interesin e komunës dhe qytetarëve duke e votuar buxhetin për vitin 2022 dhe të mos shkaktohen ngecje të cilat mund të shkaktojnë vonesa në realizimin e projekteve komunale.

Nga mosvotimi i buxhetit rreziku që i kanoset Komunës së Podujevës është që në afatin e rregullt kohor, mund të rezultojë me vonesa në realizimin e projkteve të parapara për vitin 2022 si dhe kjo situatë mund ta dërgojë Komunën e Podujevës në suficit, e cila rezulton me humbje buxhetore dhe rrjedhimisht më pak projekte për qytetarët.

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Besianë
27.09.2021