Ibrahim Dresheviq do ta ketë mundësinë ta përfaqësojë Kosovën në skenën ndërkombëtare për herë të parë në qershor. Ai ka bërë të ditur e zgjodhi Kosovës sepse nuk donte të priste edhe disa vjet për të marrë ftesë nga Suedia.

Përveç Florent Hadërgjonajt, për të cilin Federata e Futbollit të Kosovës kishte njoftuar më parë se do t’i bashkohej Kosovës për ndeshjet e qershorit, risi në skuadrën e ftuar nga Bernard Challandes për ndeshjet e qershorit janë edhe Ibrahim Dresheviq dhe Ylldren Ibrahimaj, transmeton Gazeta Express.

Para se të ftohej këtë herë nga Kosova, Dresheviq e kishte përfaqësuar Suedinë, mirëpo asnjëherë nuk kishte luajtur për ekipin e parë. Dresheviq i regjistroi nëntë paraqitje për grupmoshat e Kombëtares së Suedisë.

“Është një ndjenjë e mrekullueshëm, me të vërtetë”, ka thënë Dresheviq për BT, kur u pyet se si ndihet që i është bashkuar skuadrës së Kosovës.

Në ekipin kombëtar, Dresheviq do të luajë bashkë me Arbër Zenelin, me të cilin kishte pasur shoqëri veçanërisht gjatë kohës sa të dy futbollistët luanin për Elfsborgun.

“Kam folur me të pak për skuadrën dhe ai më ka thënë se gjithçka duket e ndritur dhe se ata kanë shumë lojtarë të rinj. Kam menduar shumë për të ardhmen time dhe kjo është më e mira”.

“Nuk doja të prisja edhe tri apo katër vjet për t’u bërë pjesë e skuadrës së Suedisë. Ti nuk mund ta dish kurrë çfarë do të ndodhë, mund të lëndohesh ose diçka e tillë”.

Dresheviq është një mbrojtës 22-vjeçar, i cili kishte pasur mundësi ta përfaqësojë edhe Suedinë dhe Malin e Zi. Ai luan për klubin holandez Heerenveen, ku u transferua gjatë afatit kalimtar të janarit të këtij viti nga Elsborg.

Gjithsej këtë sezon ai i ka zhvilluar tetë ndeshje, gjashtë në Eredivisie dhe dy në Beloften Eerste Divisie.

Gjatë muajit qershor, Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020. Fillimisht, “Dardanët” do të përballen me Malin e Zi më 7 qershor në Podgoricë, ndërsa tre ditë më vonë do ta vizitojnë Bullgarinë në Sofje.