Dy shtatore janë punuar për heroin e kombit, Ali Ajeti. Të dyja janë porositur nga Komuna e Podujevës dhe të dyja janë punuar për të njëjtin vend. Por vetëm njëra është vendosur. Tjetra ende vazhdon të qëndrojë e paekspozuar. E para kishte filluar të punohej para më shumë se dhjetë vjetësh, por në mungesë të mjeteve ajo nuk u përfundua kurrë, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkohë Komuna e Podujevës e ka shpallur edhe një tjetër konkurs vitin e kaluar, dhjetë vjet pasi kishte përfunduar konkursi për të parën. Njëzet mijë euro janë paguar nga komunarët për përmendoren e parë, nga 66-67 mijë sa kishte kushtuar. Ndërsa për të dytën borxhi total prej 49 mijë e 450 eurosh është paguar tërësisht nga buxheti komunal.

Përmendores së re i është ndërruar edhe bazamenti i ri (është vendosur në një më të vogël), kurse bazamenti tjetër është bërë rrafsh me tokë. Gjithçka për projektin e parë tashmë i takon një të kaluare për të cilën zyrtarët komunalë nuk kanë bërë mundin as të përgjigjen. Rrëfimin për krejt çka ka ndodhur prej para më shumë se dhjetë vjetësh e kanë treguar personazhet e tjera të përfshira në këtë “mesele”. Skulptori Izeir Mustafa, i cili ishte angazhuar për ta punuar shtatoren e heroit Ali Ajeti në vitin 2007, ka goxha fjalë të rënda për zyrtarët komunalë dhe për kryetarin Agim Veliu. Njësoj edhe axha i Ali Ajetit, Hetemi. Të dy e kanë bërë Veliun fajtorin kryesor për mospërfundimin e shtatores së parë. Gjithçka kishte kaluar edhe në inate e hakmarrje.