Asgjë e re sa i përket fituesit në Drag Race. Skender Potera me Audi vazhdon të dominojë absolutisht, ndërsa nga gara në garë po e përmirëson rekordin e tij, njofton Federata e Autosportit të Kosovës, njofton FASK, transmeton Llapi.info.

“Në Drag Race 4, që u mbajt këtë të diel në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë, Potera ishte i pakonkurrencë, duke fituar me kohë fantastike prej 08.212 sekonda në shtegun e gjatë 402 metra, ku shpejtësia mesatare e tij ishte 272.73 kilometra në orë”, thuhet në njoftimin e FASK-ut.

“Edhe sot ishte garë e mirë ashtu sikur edhe organizimi i saj. Për fat të mirë gjërat shkuan ashtu siç i kishim paramenduar dhe sigurisht që jam i kënaqur me suksesin. Mirëpo, mendoj se ka ende vend për përmirësim dhe synimi ynë është të zbresim nën 8 sekonda, kohë të cilën e kam arritur në Bullgari”, është shprehur Potera pas fitores.

Sipas FASK-ut, “Drag Race 4” është zhvilluar në tri divizione: FWD (veturat që tërheqin me rrotat e përparme), RWD (veturat që tërheqin me rrotat e pasme) dhe AWD (veturat që tërheqin me katër rrota).

Interesimi i dashamirëve të automobilizmit ishte mjaft i madh, ndërsa gara kaloi pa asnjë incident./Llapi.info