Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës duket se po i vonon rezultatet e të testuarve për COVID-19, shkruan Llapi.info.

Vonesat tash po shkojnë deri në tri-katër ditë. Me të njëjtin problem është duke u ballafaquar edhe një qytetar nga Podujeva (emër i njohur për redaksinë).

Ai i ka thënë portalit Llapi.info se testimin për virusin korona e ka bërë të martën, pasi që siç ka deklaruar ai ka shenja të COVID-19, por rezultati ende s’i është publikuar. Ai thotë gjendet në vetë-izolim dhe për këtë i është pamundësuar të vazhdojë punën aktualisht.

Duhet theksuar se rezultatet Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i ka vonuar edhe më parë për pacientët llapjanë.

Ndërkohë, sot në Podujevë janë regjistruar edhe 12 raste të reja me COVID-19, duke çuar në total numrin e personave aktivë në 180. Rastet e reja janë nga qyteti me 6 raste dhe me nga një rast në fshatrat; Gërdoc, Lluzhan, Lupç i Poshtëm, Metehi, Sekiraçë dhe Zakutë.

Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 9.869 raste nga 39.741 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2. Ndërkaq, raste aktive mbeten edhe 3.961./Llapi.info