Ekipi nga Podujeva, KF Llapi, është rikthyer te fitorja në elitën e futbollit kosovar pas tri disfatave rresht, duke mposhtur në shtëpi Besën e Pejës me rezultat 1-0, raporton Llapi.info.

Pjesa e parë e ndeshjes u takoi nikoqirëve, të cilët patën disa raste shënimi. Rastin më të mirë në këtë pjesë lojë e pati Arbnor Ramadani në minutën e 30’, por që i njëjti dështoi të realizonte gol nga pika e bardhë. Me rezultat të barabartë 0-0 u mbyll pjesa e parë në “Zahir Pajaziti”.

Edhe në 45-minutëshin e dytë ishin djelmoshat e Tahir Batatinës që rrezikuan portën e pejanëve. Llapjanët golin e epërsisë e gjetën tek në minutën e 58’ me anë të Elvis Prençit, i cili pranoi asist nga  Edon Sadriu.

Skuadra nga Podujeva fitoi edhe një tjetër penalti në minutën e 64’, por që sulmuesi i kësaj skuadra, Ahmed Januzi, nuk arriti ta konkretizonte me gol. Me rezultat 1-0 në favor të llapjanëve u mbyll ndeshja në Podujevë.

Me këtë fitore, Llapi tash i ka 42 pikë dhe ndan pozitën e pestë së bashku e Drenicën që ka po aq pikë, kurse Besa është përshëndetur nga elita e futbollit kosovar, pasi ka grumbulluar vetëm 12 pikë.

Në xhiron e radhës, Llapi i shkon Arbërisë, ndërkohë që Besa udhëton në Drenas për t’u përballur me Feronikelin./Llapi.info