Ka përfunduar edhe zyrtarisht afati kalimtar dimëror në futbollin e Kosovës, me ç’rast klubet janë angazhuar që të sjellin emra të rinj në ekipe, shkruan Llapi.info.

Afati kalimtar i hapur më 1 janar të vitit 2020 në disa skuadra ka bërë revolucion. Në mesin e tyre bënë pjesë edhe klubi nga Podujeva, KF Llapi.

Trajneri kësaj skuadre ka menduar për të gjitha repartet. Që nga porta e deri te sulmi, tekniku llapjan Tahir Batatina, ka sjellë emra të rinj, e sidomos në fazën mbrojtëse.

Llapi kësaj radhe i ka kapërcyer edhe kufijtë shqiptarë, duke nënshkruar edhe me një italian. Pikërisht “gardiani” i portës llapjane, Giacorno Nava po konsiderohet si goditja më e qëlluar e këtij afati kalimtar dimëror.

Përveç portierit Nava dhe Donat Mehmetit, Llapi ka transferuar edhe mbrojtësit: Nertil Hoxhaj, Ardian Hoti (i rikthyer nga huazimi), Florian Daci, Leutrim Kadriu dhe Florent Musliu.

Mesfushës i janë bashkuar Albutrint Morina, Alket Bajrami, Ersil Ymeraj, Egzon Krasniqi dhe Thesar Ismajli.

Klubi nga Zahir Pajaziti është përforcuar në repartin ofensivë, teksa ka prezantuar Premtim Jakupin, një sulmues të talentuar i cili vjen nga Maqedonia e Veriut. Llapi transferoi edhe sulmuesin shkodran, Jasmin Raboshta.

Krahas transferimeve, Llapi ka menduar edhe për largime, gjera ka pasur edhe emra të njohur që tashmë janë larguar nga Podujeva.

Bledar Hajdini, Xhelil Abdullahi, Blendi Memaj, Ron Emini, Senad Husiç, Armin Mujkiç, Xhelil Abdulla, Argjend Mustafa, Blendi Memaj, Erijon Thaqi, Enis Zabërgja, janë lojtarët që këtë pjesë të sezonit nuk do t’i mbrojnë ngjyrat e klubit llapjan.

Kujtojmë, Llapi stinorin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e shtatë në tabelë, duke grumbulluar vetëm 24 pikë./Llapi.info